Lajme

Vuletiç: Perëndimit i duhet një grup unik opozitar që do ta pranonte realitetin në Kosovë


Zoran Vuletiç

Kryetari i Forumit Civil Demokratik (DGF), Zoran Vuletiç, në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda” të dielën, theksoi se në mungesë të një grupi unik opozitar në politikën serbe që do ta pranonte realitetin në Kosovë sipas vijave të vitit 2008, diplomatët perëndimorë duhet t’i referohen presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, posaçërisht për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Pritshmëria që Vuçiç do të kontribuojë në “normalizimin e marrëdhënieve” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është konsideruar nga njohës të shumtë të politikave ballkanike si një ndër arsyet kryesore pse autoritetet aktuale në Serbi gëzojnë mbështetjen perëndimore. E një faktor tjetër është edhe skena politike në Serbi, ku mungon një opozitë e fortë pro-pavarësisë së Kosovës.

“Nëqoftëse do të ishte e kundërta, perëndimi do të kishte një bashkëbisedues tjetër në Serbi përveç Vuçiçit. Pse është ai në këtë pozitë? Sepse ne nuk kemi një grup të vetëm parlamentar opozitar që do të pranonte planin perëndimor e realitetin në Kosovë dhe të kërkonte vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë”, nënvizoi politikani liberal serb në një intervistë të fundit.

Në këtë drejtim, shumë analistë të huaj konsiderojnë se shpresat e bashkësisë perëndimore se perspektiva evropiane e Serbisë do ta shtynte Vuçiçin që t’u përmbahet normave demokratike në vend dhe të përmbahet nga minimi i vazhdueshëm i shteteve fqinje, tashmë janë thyer. Serbia vazhdon të marshojë sipas një daulleje krejt tjetër nga pjesa tjetër e kontinentit evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore