Lajme

Vuçiç takon Orban-in dhe Dodik-un: Marrëdhëniet mes shteteve tona janë në nivelin më të lartë


Aleksandër Vuçiç, Viktor Orban dhe Millorad Dodik.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është takuar me Presidentin e Hungarisë, Viktor Orban, dhe atë ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, me të cilët ka biseduar për bashkëpunimin në mes të vendeve përkatëse.

“Është gjithmonë mirë të takohesh me një mik të sinqertë si Viktor Orban dhe të bisedosh për bashkëpunim edhe më të ngushtë dhe më të fortë në shumë projekte të përbashkëta me interes për Serbinë dhe Hungarinë, dhe për hir të një jete më të mirë të dy kombeve tona vëllazërore”, shkroi Vuçiç në Facebook.

Ky takim i Vuçiç-it me Orban-in dhe Dodik-un ka ndodhur pas varrimit të kryetarit të parlamentit provincial dhe liderit të Unionit të Hungarezëve të Vojvodinës Istvan Pastor, ku të tre këta morën pjesë në funeralin e tij.

“Marrëdhëniet mes dy shteteve janë në nivelin më të lartë sot falë Pastorit tonë Istvan, një njeri që për vite me radhë ka qenë lidhja më e fortë në lidhjen e serbëve dhe hungarezëve. Mik i dashur, faleminderit dhe lavdi e përjetshme për ju”, ka theksuar kreu serb.

Sa i përket Republikës Srpska, shefi i shtetit serb ka thënë se “Serbia do të jetë gjithmonë me Srpska’n, dhe besoj se Srpska do të jetë me Serbinë!”.

Foto: Alesander Vuçiç

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore