Kosova

Vuçiç: S’i heqim targat KM, janë dëshmi se shteti i Serbisë është i pranishëm në Kosovë


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se “Serbia është ende e pranishme në Kosovë” dhe se sipas tij, kështu do të jetë.

Po ashtu ai theksoi Serbia nuk do të heqë dorë nga targat që i lëshon për serbët në emër të qyteteve të Kosovës, e që Qeveria e Kosovës ka dhënë afat deri në fund të tetorit të ndërrohen ato.

“A do të thotë kjo se ne do të tërhiqemi nëse kërcënohen interesat tona jetike kombëtare? Jo, nuk do të tërhiqemi. Ne nuk do të tërhiqemi as me targat KM. Targat KM, sikurse edhe kartat e identitetit të Serbisë në Kosovë, janë dëshmi për ne që shteti i Serbisë është ende i pranishëm në Kosovë”, tha Vuçiç në seancë e Kuvendit të Serbisë, ku po diskutohet për dialogun me Kosovën.

“Për ne është një gjë mjaft e vlefshme që të mund të themi se Kosova është pjesë e Serbisë. Ky është thelbi”.

Ai thotë se nuk e adhuron BE-në, por se nuk mendon se është ide e mirë që Serbia të dalë nga rruga evropiane.

“Më besoni se e di se çfarë po na bëjnë. Dhe ju nuk e keni idenë se çfarë kam dëgjuar dhe thënë në takimet me ta. Mendoni pse Orban nuk largohet nga BE, edhe pse ai është idhulli i të gjithëve”.

Kreu i shtetit serb shtoi se Serbia është shumë më e fortë se sa ishte, “por ne jemi ende të vegjël në krahasim me BE-në”.

Vuçiç: Dorëhiqem – nëse është nevoja

Vuçiç, ka potencuar se nëse është nevoja “do të jap dorëheqje vetë”, duke iu përgjigjur pyetjes së një deputeti të Partisë Demokratike Serbe, i cili e akuzoi se ka dështuar për ta mbrojtur Kosovën.

Ai theksoi se koha e sundimit të DS-së ishte periudha më e errët në historinë e Serbisë që nga viti 1918.

“Kemi dëgjuar shumë herë se serbët nga Kosova janë fajtorë sepse marrin pjesë në Qeverinë e Kosovës. E dini, njerëz të DS-së, si Goran Bogdanoviç, morën pjesë në qeverinë e Kosovës, përkujtoi Vuçiç”.

Të martën, Vuçiç gjatë fjalimit të tij është treguar skeptik për sa i përket formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Bota perëndimore nuk i bënë presion Kosovës për t’i përmbushur të gjitha marrëveshjet e rëna dakord, mbi të gjitha për formimin e Asociacionit. Dyshojë shumë se kjo do të ndodhë, pavarësisht premtimeve, përveçse në nivel të ndonjë organizate joqeveritare”, ka thënë ai në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Serbisë, në të cilën po prezanton para deputeteve raportin e procesit të dialogut nga 15 qershori i vitit 2021 deri më 1 shtator të këtij viti.

Shteti i tetë, sipas pretendimeve të Vuçiç, gjatë javëve të ardhshme pritet ta çnjohë pavarësinë e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore