Kosova

Vuçiç: Serbët do t’i mbrojmë në Bruksel


Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka thënë se në dialogun e nivelit të lartë që do të ndodhë në Bruksel në gjysmën e dytë të muajit korrik, prioriteti dhe kërkesa më e fortë do të jetë mbrojtja e serbëve.

Për “TV Pink”, presidenti serb ka thënë se “do të luftojmë dhe kujdesemi aq sa mundemi përmes komunitetit ndërkombëtar”, kinse serbët janë “nën presion te vazhdueshëm”.

Ai ka shfrytëzuar rastin për të folur për kthimin e shtetases serbe në Gjakovë, Dragica Gashiç, duke thënë se “rasti i saj është paradigmë se sa shumë i shqetëson ata” dhe se “është e pabesueshme se si disa medie serbe kanë raportuar për atë rast”.

Ai ka thënë se Serbia nuk ka pasur kontroll de fakto në Kosovë që nga 1999-a dhe 2008-a, dhe se përtej mekanizmave ndërkombëtar “s’mund të bëj asgjë për t’i ndihmuar ata, por se do të ndihmoj nëpër mënyra tjera aq sa të jetë e mundur”.

Ai gjithashtu ka komentuar armatosjen e ushtrisë së Kosovës duke thënë se ajo është në kundërshtim me rezolutën 1244 dhe të drejtën ndërkombëtare.

Ai gjithashtu është munduar të tregojë superioret ushtarak ndaj Kosovës duke e krahasuar ushtrinë serbe me të Kosovës si “qielli me tokën, që nuk janë në të njëjtën kategori”.

Me 19 korrik do të mbahet takimi i radhës ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Peter Stano.

Ndërsa takimi i parë kur u zhvillua ndërmjet Kurtit dhe Vuçiçit ka qenë në muajin qershor të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore