Lajme

“Vuçiç – një autokrat klasik”, Joseph: Biden braktisi premtimin për mbrojtjen e demokracisë kundër autokracisë


Edward Joseph

Edward Joseph, ligjërues universitar dhe njohës i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, në një intervistë për transmetuesin publik amerikan “PBS” të dielën, ka deklaruar se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, ka braktisur premtimin për të mbrojtur demokracinë kundër autokracisë në politikën ballkanike.

“Presidenti Biden gjithmonë e ka kuptuar drejtë rajonin. Ai e ka nisur presidencën me fjalët se ‘ne jemi në një luftë midis demokracisë dhe autokracisë’. Presidenti Biden e ka kuptuar drejtë këtë, por administrata e tij ka gabuar plotësisht… SHBA i ka trajtuar fqinjët e Serbisë sipas një standardi shumë më të ashpër dhe më të lartë”, ka theksuar Joseph.

Duke komentuar mbi ciklin e fundit zgjedhor në Serbi dhe shkeljen e normave demokratike nga Partia Progresive Serbe (SNS), ai ka potencuar se Serbia është duke rrëshqitur gjithnjë e më shumë drejt autokracisë, derisa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka vazhduar dominimin mbi skenën politike serbe, sipas modelit të instaluar nga kryeministri i Hungarisë.

“Presidenti Vuçiç është një autokrat klasik. Ai është duke u përpjekur të vendosë kontroll të plotë nën mbulesën e demokracisë. Dhe kjo është pikërisht ajo që ne kemi parë në zgjedhjet e fundit. Kjo është ajo që njihet si demokracia joliberale. Mësuesi i Vuçiçit është Viktor Orban”, ka nënvizuar profesori amerikan, ndërsa ka shtuar se kjo i përshtatet vetëm Rusisë.

Perspektiva e demokracisë në Serbi është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorshme ndaj stabilitetit rajonal. Serbia, gjatë gjithë historisë, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga perëndimi, duke rreshtuar veten krah Rusisë dhe Kinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore