Lajme

Vuçiç: Nëse nuk flitet për Asociacion, Kurti s’ka pse të vijë në Bruksel


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka pse të shkojë në Bruksel nëse mendon se nuk do të bisedohet për Asociacionin e Komunave Serbe.

“Nëse Kurti mendon se nuk do të flitet për Asociacionin, atëherë nuk ka pse të vijë. Dhe nëse ata presin që unë ta bëj atë, atëherë ata as nuk kanë pse të më telefonojnë”, është shprehur ai.

Duke thënë se Kurti po bën shantazh, Vuçiç ka theksuar se Serbia do të reagojë ashpër në lidhje me mosrespektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.

“Këto nuk janë ditë të lehta dhe të thjeshta për popullin serb. Duket se lejohet të thuhet gjithçka kundër Serbisë. Fakti që Albin Kurti po na bën shantazh, unë do ta trajtoj atë si çdo përfaqësues të institucioneve të përkohshme. Nëse nuk i pëlqen kjo, ai mund të përpiqet të bëjë diçka. Unë nuk do të këshilloja këtë. Kur isha në Shtëpinë e Bardhë, unë nuk nënshkrova (njohjen), njerëzit nuk duhet të shqetësohen për këto gjëra. E jona është të bisedojmë”, shtoi Vuçiç, raporton gazeta serbe Danas.

Ai po ashtu, ka treguar se gjatë ditës së mërkurë do të ketë bisedime me zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, Matthew Palmer dhe me të dërguarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Me këtë rast, mund të them se reagimi ynë do të jetë shumë i fortë dhe i mprehtë në lidhje me çështjen e mosrespektimit të marrëveshjeve të nënshkruara nën kujdesin ndërkombëtar dhe të BE-së”, ka deklaruar Vuçiç.

Ndërkohë, një ditë më parë, pas vizitës së tyre në Kosovë, Palmer dhe Lajçak, në një konferencë të përbashkët kanë thënë se zgjidhja për dialog i takon Kosovës dhe Serbisë, “ne jemi veç mbështetës”.

Palmer ka potencuar se SHBA-ja nuk është palë në procesin e dialogut.

“Ne jemi këtu për të mbështetur dhe inkurajuar. Ne vazhdojmë të mendojmë që njohja reciproke është zgjidhja ma e mirë. Jemi partnerë në këtë proces, jemi të përfshirë në mënyrë aktive duke punuar edhe me Beogradin edhe me Prishtinën, duke punuar së bashku me Lajçak dhe ekipin e tij në mbështetje të arritjes së marrëveshjes së plotë për normalizim”.

Ndërsa sa i përket formimit të Asociacionit të komunave Serbe, Palmer ka treguar se “forma se si duhet të bëhet Asociacioni është forma se si pajtohen dy palët”.

Në anën tjetër Lajçak ka thënë se “ky vit ka potencial të jetë një vit i mirë për marrëdhëniet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”.

Sipas tij, qëllimi parësor i kësaj vizite “është përgatitja e takimit të parë midis Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili do të mbahet në qershor, pas pak ditësh në Bruksel”.

Lajçak pati thënë që ai nuk ka kërkuar ndryshimin e Kushtetuese së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas tij, procesi i dialogut do të dëshmoj nëse Kosova do ta ndryshojë ose jo Kushtetutën në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel.

“Ku do ta bëjnë këtë dhe për çfarë çështjesh, këtë do ta dëshmoj dialogu. Dialogu, çështjet parametrat dhe rezultati përfundimtar, të gjitha këto janë në duart e Prishtinës dhe Beogradit”, pati thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore