Lajme

Vuçiç në telefon me kreun e NATO-s: “Heshtja e ndërkombëtarëve është shurdhuese”


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Pasditen e së dielës, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg lidhur me situatën e krijuar në Veriun e Kosovës, të cilën, sipas komunikatës së lëshuar nga Presidenca e Serbisë, NATO-ja e ka quajtur “shqetësuese”.

Vuçiç, sipas kësaj komunikate, kreut të NATO-s i ka thënë se “Serbia nuk e ka shkelur asnjë nga Marrëveshjet e Brukselit e as Rezoultën 1244, me asnjë lëvizje, e as nuk ka rrezikuar ruajtjen e paqes në asnjë mënyrë”.

“Pushtimi i plotë me automjete të blinduara në Veri të Kosovës që po bëhet nga Prishtina, tashmë për shtatë ditë me rend, dhe i gjithë komuniteti ndërkombëtar është në ‘heshtje shurdhuese’”, ka thënë Vuçiç.

Ai ndër të tjera ka thënë se helikopterët dhe avionët e Serbisë në “territorin qendror të Serbisë” po përbëjnë shqetësim, sepse, sipas tij, “ata s’duhet të ekzistojnë fare, ose s’duhet të fluturojnë në ajr pa thënë Kurti ose komuniteti ndërkombëtar”.

Vuçiç ndër të tjera tha se Serbia respekton të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare që ka nënshkruar dhe se ajo gjithmonë do të veprojë me përgjegjësi dhe seriozitet, por se ajo vazhdon të pyesë se “kur do të fillojë formimi i Bashkimit të Komunave Serbe dhe deri kur do të rrinë në Veri njësitet e blinduara të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit?”.

Në fund, Vuçiç u shpreh me mirënjohje ndaj Sekretarit të Përgjithshëm Stoltenberg “për qëndrimin dhe dëshirën e saktë për të dëgjuar palën serbe”, dhe Vuçiç pyeti se çfarë norme dhe rregullore ndërkombëtare ka shkelur Serbia sot, dje ose në çdo kohë?”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore