Kosova

Vuçiç: Lajçakun e njoftova për krizën e rëndë në Kosovë


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në takim me Miroslav Lajçak

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në takimin me të Dërguarin e Posaçëm të Brukselit për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka diskutuar edhe për aplikimin e reciprocitetit për targat nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“Unë bisedova me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës dhe çështjeve të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, për krizën e rëndë në Kosovë,” tha presidenti serb.

Këtë Vuçiç, e cilësoi si një situatë të rëndë të krijuar në Kosovë me rastin e aplikimit të reciprocitetit nga Qeveria e Kosovës.

Siç bëjnë të ditura mediat serbe, presidenti i Serbisë “do t’i adresohet publikut për gjithçka që po ndodh në veri të Kosovës”, dhe kjo raportohet se do të ndodh në orën 6 të pasdites.

Ndonëse, media të afërta me qeverinë e Serbisë shkruajnë se Vuçiç “ka propozuar palës kosovare marrëveshje kompromisi”, por se “ata nuk kanë pranuar”.

Burime brenda Presidencës së Serbisë u kanë thënë këtyre medieve se “Vuçiç do t’i adresohet publikun në ora 6 dhe do të shpjegojë se pse ai ka mohuar marrëveshje të turpshme të ofruar nga pala kosovare përmes disa ndërmjetësuesve të tyre të dërguar në Beograd”.

Miroslav Lajçak, pas vizitës që bëri në Kosovë, do të qëndroj edhe për një vizitë dy-ditore në Beograd.

Ndërkaq, në mëngjesin e së hënës u bë e ditur nga Presidenca e Serbisë, se Aleksandër Vuçiç ka thirrur takim emergjent të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

Në këtë takim bëhet e ditur se do të marrin pjesë edhe komandatët e të gjitha njësive ushtarake të Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore