Lajme

Vuçiç, “i kurthuar dhe tragjik” – Piskamat e fundit të njohjes së Kosovës


Ilustrim, Aleksandër Vuçiç

Frika e shprehur e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se me përjashtimin eventual të Rusisë nga Këshilli Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pas pushtimit rus të Ukrainës, do të hapet mundësia e ndryshimit të Rezolutës 12/44 dhe si rrjedhojë Kosova do anëtarësohet në OKB, nga njohësit politikave të Ballkanit, po konsiderohet si përgatitja e terrenit për njohjen e subjektivitetit të Kosovës.

Vuçiç, sipas analistëve të politikave ndërkombëtare gjendet në qorrsokak, pas mos rreshtimit të Serbisë krah botës perëndimore për të sanksionuar Rusinë.

Kjo gjë, rrjedhimisht mund ta izolojë atë, thonë njohësit e çështjeve politike.

Për profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Branislav Radeljiç, deklaratat e Vuçiç – se me përjashtimin e Rusisë nga OKB, hapet rruga e njohjes së Kosovës –  janë të destinuar për t’ia hedhur fajin dikujt tjetër për atë që do të duhet të bëjë së shpejti, njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Vuçiç është tragjik dhe i kurthuar. Parandjenjat e Vuçiç janë pjesë e retorikës së tij egoiste. Ai po grumbullon arsye të reja dhe po kërkon aktorë të tjerë për të fajësuar për atë që do të duhet të bëjë së shpejti – Kosovën e ka humbur përgjithmonë. Serbët dhe shqiptarët e Kosovës duhet të identifikojnë mënyrat më të përshtatshme të bashkëpunimit dhe bashkëjetesës në të ardhmen”, ka thënë Radeljiç për Albanian Post.

Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Branislav Radeljiç

Në anën tjetër, për Kryetaren e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko, me agresionin rus i gjithë konteksti ndërkombëtar ka ndryshuar, dhe rrjedhimisht muri mbështetës i Serbisë në OKB – Rusia është në një gjendje të rënduar.

“Asgjë nuk është më e njëjtë, veçanërisht për Evropën. Serbia mbështetej në veton e Rusisë në Këshillin e Sigurimit për mbrojtjen e interesave të saj në Kosovë”, ka thënë Biserko për AP.

Ndërsa, Radeljiç thekson se reagimi i vonuar i Serbisë në krizën e Ukrainës dhe ngurrimi i saj për t’u rreshtuar kah bota perëndimore, do të shërbejë që Brukseli e Uashingtoni ta kuptojnë që Serbia në kohë të krizave ku rrezikohet paqja dhe siguria ndërkombëtare, merr anën e agresorit.

“Perëndimi ka luajtur një lojë shumë të ndryrë në rajon duke mbyllur një sy ndaj sundimit autoritar të Vuçiç-it, niveleve të larta të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe shtypjes së lirisë së medias dhe gazetarisë investigative”, ka pohuar Radeljiç.

Në të njëjtën linjë të mendimit, është edhe Biserko, e cila thekson se influenca ruse në Ballkan përkon me dështimin e Perëndimit për të përfunduar në kohë “punën e pakryer”.

“Kriza e Ukrainës dhe radikalizimi i Dodik e sollën ShBA-në përsëri në Ballkanin Perëndimor me vëmendjen për të parandaluar kaosin e mundshëm. Anëtarësimi në NATO është një mënyrë për të mbrojtur Bosnjën, Kosovën dhe Serbinë”.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko

Sipas saj thirrjet që Kosova dhe Bosnja duhet të pranohen sa më shpejtë në Aleancën Veri-Atlantike, ia ka lidhur duart Aleksandër Vuçiç-it

“Ai është nën presion të madh nga të dyja palët. Në rast se Serbia nuk qëndron në anën e Perëndimit, ajo mund të përfundojë e izoluar. Ka shumë zëra në Perëndim që kërkojnë ndryshimin e qëndrimit ndaj Serbisë”, ka shtuar ajo.

Kurse Radeljiç ka komentuar edhe deklaratën e Vuçiç, se ai do të dërgojë një notë proteste ndaj Turiqsë, pasi presidenti i këtij vendi, Erdogan, në një konferencë për media së bashku me homologun e tij, Osmani, deklaroi se shteti i tij nuk e ka problem lobimin për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Këtu ka dy opsione, ose Presidenti Erdogan është gati të punojë në interesin më të mirë të aleancës ose ka vendosur të testojë mikun e tij serb në një kontekst shumë polarizues dhe mbi të gjitha të rrezikshëm”, ka shtuar ai.

Serbia është i vetmi vend në kontinentin evropian, duke mos e llogaritur Biellorusinë, e cila nuk i është bashkuar sanksionimit të Rusisë pas sipërmarrjes saj pushtuese në Ukrainë, e që tashmë ka hyrë në ditën e 13-të të saj.

Politikanë të shumtë perëndimorë rreshtimin e Serbisë e kanë parë si qëndrim permanent pro Kremlinit, dhe është bërë thirrje që t’i revokohet statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ngase Beogradi, thonë ata, ka diskualifikuar veten.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore