Lajme

Vuçiç dhe Kurti kanë shumë të përbashkëta, thotë Abazi


Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandëri Vuçiç, “kanë shumë të përbashkëta” dhe i ka quajtur “lider viktimizues”, teksa ka kritikuar ashpër Kurtin për ndërhyrje në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, meqë sipas tij po i “përçanë shqiptarët”.

“Të dy urrejnë patologjikisht kundërshtarët politikë dhe urrejtjen e tyre e fshehin njëri pas shqiptarëve e tjetri pas sllavo-maqedonasve. Vuçiç i manipulon Serbët në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni Veriore dhe Kosovë; Kurti manipulon shqiptarët në Luginë, Maqedoni të Veriut dhe Diasporë por nuk ka arritur të manipulojë shqiptarët në Shqipëri e Mal të Zi. Këta të fundit e kanë njohur shumë mirë”, shkroi Abazi në Facebook.

Abazi ka potencuar se Kurti e ka nisur fushatën elektorale në Maqedoni të Veriut, duke shpallur vetën të kërcënuar, derisa ka shtuar se ky është “tentim primitiv i manipulimit të masave popullore” para fushatës elektorale në Maqedoni të Veriut”.

“Tanimë ka evidencë praktike për tradhtitë e Kurtit bazuar në interesa të tij personale. Andaj i shpreh ngushëllime për vetëvrasjen politike që i ka bërë vetës duke e shndërruar veten në pykën e Kurtit”.

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, ka theksuar se kryeministri Kurti “po i përçanë tutje shqiptarët në RMV për t’i bërë “mish për top” për interesa personale politike në raport me kryeministrin e Shqipërisë.

“Izolimi ku ka rënë Kurti e ka bërë edhe me agresiv dhe me aspak rezultate. Sikur të kishte treguar ndonjë sukses për gjatë tre viteve të qeverisjes, ndoshta edhe do të kishim tolerancë për futjen e hundës në vendet tjera”, shtoi ai.

“Por, punët lloç në oborrin e vet e dil në komshinj me i tregu se si me ja bë, është poshtërsi dhe aspak respektuese për kapacitetin e shqiptarëve që ata të vendosin për veten. Kurti është rrethuar me njerëzit të përlyer, servil, dhe analfabet dhe rrjedhimisht mendon që i gjithë populli është i tillë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore