Lajme

Vuçiç: Asociacioni me kompetenca ekzekutive ose faleminderit


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të formohet me kompetenca ekzekutive ose nuk do të bëhet fare.

“Asociacioni o do të bëhet me kompetencat që jemi marrë vesh në Bruksel ose faleminderit, ne punën tonë, ju tuajën dhe do të takohemi një ditë”, tha Vuçiç.

Ai kështu i është kundërpërgjigjur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila theksoi se nuk do të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive.

“Më së miri është që Asociacioni të ketë të drejtën të prodhojë qese për krem-banane. Eventualisht tri shkrepësa dhe dy lapsa për fundvit dhe kështu Vjosa Osmani të jetë e lumtur”, theksoi në mënyrë ironike Vuçiç.

Kreu i shteti serb e ka mohuar se Serbia është vegël e Rusisë dhe se po e destabilizon Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

“Është një marifet i mjerë që përdorin sepse kur nuk dinë çfarë të thonë kundër Serbisë, thonë se jemi të lidhur me Rusinë dhe Kinën. Politika jonë është një Serbi e pavarur, sovrane, e lirë në rrugën evropiane, por që respekton miqtë e saj rusë, kinezë dhe amerikanë”, shtoi ai.

Presidentja Osmani, por edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë thënë se nuk do të ketë Asociacion, pasi ai do të shndërronte Kosovën në një shtet jofunksional, duke marrë shembull edhe Bosnjën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore