Lajme

Vuçeviç: Diplomacia, lufta ose heshtja – opsionet e vetme të Serbisë ndaj “spastrimit etnik” në Kosovë


Millosh Vuçeviç

Nën hijen e papërgjegshme të retorikës, ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç, pretendoi se autoritetet në Kosovë janë duke ushtruar “presion të vazhdueshëm” ndaj serbëve në pjesën veriore të vendit, duke e cilësuar “rrezik të madh” për sigurinë e Serbisë. Madje, ai përmendi edhe luftën në mesin e “opsioneve” të Serbisë në raport me zhvillimet në Kosovë.

Vuçeviç, ashtu siç raportoi agjencia serbe e lajmeve “Beta” të dielën, pretendoi se në Kosovë filloi “spastrimi etnik i serbëve”, ndërsa kryeministri kosovar, Albin Kurti, synon që të “mos mbetet asnjë serb” në vend, duke theksuar se “diplomacia, lufta ose heshtja” mbeten opsionet e vetme të Serbisë. Megjithatë, ai u shpreh në favor të “opsionit të parë” për zgjidhje.

Duke qenë se Serbia aktualisht ndodhet në mes të një kryqëzimi kritik ndërmjet demokracisë liberale dhe autoritarizmit populist, shembujt e propagandës dhe përpjekjet blatante për ta ndryshuar historinë nuk janë të vështirë për t’u gjetur, pa përjashtuar propagandën dhe dezinformatat mbi zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës që banohet kryesisht me serbë etnikë.

Në bazë të një analize të Iniciativës Evropiane për Stabilitet (ESI) pas manipulimit të statistikave nga zyrtarë serbë mbi largimin e pretenduar të serbëve nga Kosova, përfshirë deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), del se nuk ka pasur asnjë lëvizje negative të popullatës serbe.

ESI theksoi se asnjë nga vëzhguesit ndërkombëtarë në Kosovë – nga KFOR-i e UNMIK-u, deri te EULEX-i dhe OSBE-ja – nuk kanë parë apo përshkruar “spastrim etnik” apo “terror” ndaj popullatës serbe në Kosovë gjatë viteve të fundit. Megjithatë, instituti evropian paralajmëron se nëse manipulime të tilla nuk denoncohen, situata lehtë mund të përshkallëzohet tutje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore