Lajme

Vritet migranti, plasin mosmarrëveshjet mbi kontrollin e armëve në Itali


Një grindje për armët në pronësi private është ndezur në Itali, pasi një këshilltar me partinë e ekstremit të djathtë dyshohet se qëlloi për vdekje një emigrant.

Massimo Adriatici, një këshilltar për sigurinë në Voghera, është nën arrest shtëpie pas të shtënave jashtë një lokali në qytetin e Lombardisë të martën e 20 korrikut.

Youns El Bossettaoui, 38 vjeç nga Maroku, u qëllua në gjoks dhe më vonë vdiq në spital.

Matteo Salvini, udhëheqësi i partisë dhe një partner kryesor në koalicionin e gjerë të Mario Draghi, mbrojti menjëherë Adriatici-n, duke thënë se këshilltari, një ish-komandant policie dhe avokat penal, kishte vepruar në vetëmbrojtje.

Ai tha në një video të postuar në mediat sociale të mërkurën se “Adriatici është një profesor i së drejtës penale, një ish-oficer policie dhe avokat penal, i njohur dhe i vlerësuar. Ai ishte një viktimë e agresionit, ndaj të cilit ai u përgjigj aksidentalisht”.

Në një emision televiziv gjithashtu dhe Salvini mbrojti Adriatici-n për mbajtjen e një arme.

“Nga ajo që doli, ai u sulmua nga një emigrant kriminel dhe ilegal. Le të presim derisa të dalin të gjitha zbulimet – kur dikush vdes është gjithmonë një humbje dhe një kohë zije, por para se të gjykojmë dhe dënojmë duhet të jemi të kujdesshëm”.

Sipas raporteve të mediave italiane, Adriatici, i cili mbante një pistoletë të kalibrit 22, pretendoi se ndërhyri pasi El Bossettaoui, i cili kishte një grua dhe dy fëmijë në Marok, po shqetësonte klientët në lokal.

Enrico Letta, udhëheqësi i partisë Demokratike të qendrës së majtë, e cila është gjithashtu pjesë e koalicionit të Draghi-t, bëri thirrje për ndalimin e armëve në pronësi private.

“Një burrë ka vdekur për shkak të një arme”, tha Letta.

“Një gjë që duhet dhe mund të bëjmë: t’i ndalojmë armët në pronësi private”.

Në Itali ka ligje të ashpra, sipas të cilave rregullohet zotërimi dhe përdorimi i armëve. Pronarët duhet të kalojnë nëpër një proces të rreptë për të marrë një licencë për blerjen e armës dhe pasi të jetë blerë një armë, pronari duhet të njoftojë Ministrinë e Brendshme.

Ekzistojnë kufizime në llojin dhe numrin e armëve të zjarrit që një individ mund të ketë, si dhe kufizime në sasinë e municioneve që mund të kenë. Kërkohet një licencë tjetër e veçantë për të mbajtur armë në hapësirat publike.

Shumica e stafit të policisë dhe sigurisë mund të mbajnë armë. Sidoqoftë, përdorimi i tyre lejohet vetëm në rrethana ekstreme, përfshirë edhe kur veprohet në vetëmbrojtje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore