Shqipëria

Vrasja në Don Bosko, Meta: Akti, sfidë e hapur e grupeve të krimit ndaj shtetit


“Dënoj me forcë ngjarjet kriminale të ditëve të fundvitit dhe të ditëve të para të vitit të ri, të ndodhura në disa qytete të vendit, e veçanërisht ngjarjen fatale në rrugën “Don Bosko”, në Tiranë, ditën e djeshme, që përfundoi me vrasjen e një shtetasi dhe plagosjen e disa të tjerëve”.

Kjo është deklarata e Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, pas ngjarjes së rëndë që ndodhi ditën e djeshme në kryeqytet.

“Një akt i tillë kriminal, në një nga zonat më të populluara të kryeqytetit, jo vetëm përbën një sfidë të hapur të grupeve të krimit të organizuar ndaj shtetit dhe institucioneve të tij, por edhe një kërcënim të rëndë për sigurinë dhe për vetë jetën e qytetarëve të Tiranës”.

Sipas Metës, kjo është rrjedhojë e një sërë aktesh të tjera kriminale, që kanë mbetur të pazbuluara dhe ku autorët nuk janë vënë përpara drejtësisë.

“I bëj thirrje Policisë së Shtetit, si dhe të gjithë institucioneve ligjzbatuese në vend, të forcojnë punën, së pari për arrestimin e autorëve të këtij krimi të rëndë, por edhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet tyre për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen”.

Ngjarja

Të shtënat me armë zjarri kanë tronditur Tiranën mbrëmjen e 4 janarit.

Nga burimet paraprake bëhet me dije se një qytetar ka mbetur i vdekur dhe katër të tjerë u plagosën.

Sipas informacioneve paraprake, i vdekur ka mbetur shtetasi E. Ç., 35 vjeç, ndërsa janë plagosur shtetasit A. D., 46 vjeç, A. S., 19 vjeç, B. Ç., 28 vjeç dhe E. C., 41 vjeç

I plagosuri B. Ç., sipas burimeve, është vëllai i viktimës E. Ç., i cili ishte i ulur në të njëjtën tavoline më të.

Policia ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një lokali, ku dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga jashtë, në drejtim të një tavoline ku ishin ulur pesë shtetas.

Autorët janë larguar me një automjet tip “Mercedes-Benz”, siç pohojnë autoritetet.

Policia ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë së lokalit, për të sqaruar gjithçka ka ndodhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore