Lajme

Vranë policin në Romë, gjykata dënon me burgim të përjetshëm dy të rinjtë amerikanë


Dy studentë amerikanë janë dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykata e Romës për vrasjen e policit italian, Mario Cerciello Rega.

Pas pothuajse 13 orë diskutimesh, një juri dënoi Finnegan Lee Elder, 21 vjeç dhe Gabriel Natale-Hjorth, 20 vjeç, për vrasjen e policit 35-vjeçar, Cerciello Rega.

Ky i fundit sapo ishte kthyer në detyrë pas muajit të tij të mjaltit, kur u godit për vdekje në një rrugë në Romën qendrore, në korrik të vitit 2019.

Elder u shfaq i shtangur, të mërkurën në mbrëmje, në momentin kur u lexua vendimi.

Në gjyq ishin të pranishëm edhe prindërit e Elder-it dhe xhaxhai i Natale-Hjorth-it.

E veja e Rega-s, Rosa Maria Esilio, u përlot në gjykatë pasi dëgjoi vendimin.

Çfarë ka ndodhur?

Natale-Hjorth ishte duke vizituar të afërmit italianë afër Romës kur, më 26 korrik 2019, u takua me Elder, një ish-shok shkolle nga San Francisco, i cili po shëtiste nëpër Evropë.

Cerciello Rega u godit 11 herë me thikë, ndërsa kolegu i tij, Andrea Varriale, u plagos. Oficerët, të cilët po hetonin një rast rrëmbimi të një çante, ishin me rroba civile dhe pa pistoletat e tyre të shërbimit kur u përballen me Elder-in dhe Natale-Hjorth-in.

Elder-i, i cili kishte udhëtuar në Itali me një thikë 18 centimetërshe në valixhen e tij dhe Natale-Hjorth thanë se oficerët i ngatërruan me kriminelë që donin t’i grabisnin, prandaj dhe aktin e kryen në vetëmbrojtje.

Më herët, natën e vrasjes, studentët kishin kontaktuar një ndërmjetës nga Trastevere, një zonë e njohur e jetës së natës, për të blerë kokainë.

Ndërmjetësi i çoi te një shitës droge, i cili u kërkoi atyre 80 euro për “kokainë” që, në të vërtetë ishin aspirina.

Në shenjë hakmarrjeje, ata rrëmbyen çantën e ndërmjetësit, që mbante telefonin e tij celular, dhe u larguan me shpejtësi.

Ndërmjetësi, kontaktoi me dy djemtë dhe ranë dakord të takoheshin në provincën e Prati-t.

Ai gjithashtu kishte kontaktuar policinë për të raportuar vjedhjen e çantës, prandaj dhe dy oficerët shkuan në vendin e ngjarjes.

Pas vrasjes, studentët u larguan nga vendi i ngjarjes dhe u gjetën të nesërmen, nga policia, në një hotel. Në dhomën e tyre u gjet edhe thika me të cilën ishte vrarë Cerciello Rega.

Elder-i e pranoi që e kishte goditur disa herë Rega-n, por ai tha se së bashku me Natale-Hjorth kishin menduar se ishin shpërndarës të drogës.

Dënimi i përjetshëm

Prokurorja Maria Sabina Calabretta, bëri thirrje që për të dy djemtë të merren dënime të përjetshme.

“Burgimi i përjetshëm nuk është një trofe për t’u ekspozuar, por një ndëshkim i drejtë. Përballë fakteve të tilla tragjike, askush nuk fiton dhe askush nuk humbet”.

Calabretta hodhi poshtë argumentet e mbrojtjes se si rezultat i një historie të problemeve psikiatrike, Elder-i përjetonte një frikë të vazhdueshme nga sulmi. Aryse kjo, që e kishte çuar atë të vriste Cerciello Rega-n dhe plagosur Varriale-n, pasi i kishin marrë si kriminelë.

Varriale dëshmoi se dy oficerët iu afruan të rinjve në rrugë nga përpara dhe treguan distinktivët e tyre, megjithëse Cerciello Rega nuk u gjet kurrë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore