Lajme

Votimi i Komisionit të PE-së, Këshilltari i Bislimit: Krijon precedent të rrezikshëm, ka impakt negativ në integrimin e serbëve


Ilustrim: Besnik Bislimi dhe Klisman Kadiu

Këshilltari për Media e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimit, Klisman Kadiu, ka shprehur keqardhje për vendimin e ditës së martë të Komisionit të Parlamentit Evropian për liritë civile, drejtësi dhe punët e brendshme për heqjen e regjimit të vizave për serbët e Kosovës që posedojnë pasaporta ilegale të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë.

Ky vendim, sipas Kadiut, rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm.

“Shtyrja para e këtij propozimi, ka impakt negativ në integrimin e komunitetit serb në Kosovë, por edhe në procesin e dialogut. Që prej momentit kur është inicuar ky propozim nga Komisioni Evropian, i kemi informuar vazhdimisht të gjitha institucionet e BE-së për pasojat dhe efektet negative të një vendimi të tillë”.

Kadiu ndër të tjera ka potencuar se pasaportat ilegale të lëshuara nga Serbia shkelin sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, andaj dhe nuk mund të njihen apo të jenë dokument i vlefshëm udhëtimi.

“Qytetarët tanë nga komuniteti serb, po vazhdojnë të pajisen me dokumenta të shtetit tonë dhe të ketë interesim të lartë, e ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje qytetarëve që të pajisen me to, në mënyrë që ta shfrytëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë pas arritjes së liberalizimit të vizave për shtetin tonë. Ne vijojmë të qëndrojmë në gatishmëri e me kapacitete të plota për të përmbushur kërkesat e tyre”.

Komisioni i Parlamentit Evropian për liritë civile, drejtësi dhe punët e brendshme, miratoi raportin për heqjen e regjimit të vizave për serbët e Kosovës që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë.

raporti për liberalizimin e viziave për poseduesit e pasaportave serbe u votua me 34 vota pro, shtatë kundër dhe 12 abstenime, ndërsa do të hidhet në votim në seancën plenare të Parlamentit Evropian që zhvillohet midis 22 dhe 25 prillit në Strasburg të Francës.

Komisioni i PE-së voton pro raportit për heqjen e vizave për poseduesit e pasaportave serbe në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore