Zgjedhjet në Kosovë

Votat për Albin Kurtin nuk do të numërohen nga KQZ-ja


Fotografi e Albin Kurtit në tubimin përmbyllës të fushatës para zgjedhjeve të vitit 2019.

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka hyrë garës për deputet të Kuvendit ndonëse këtë ia ka ndaluar së fundmi Gjykata Supreme dhe Komisioni Qendror Zgjedhor nuk e ka certifikuar.

Kreu i LVV-së konsideron që pavarësisht kësaj asnjë fletëvotim nuk mund të shpallet i pavlefshëm nëse qytetarët zgjedhin numrin “1” në listë.

“Varësisht prej vlerësimit që kanë për mua. Nuk mund të shpallet i pavlefshëm fletëvotimi”, tha Kurti.

Megjithatë, votat e Kurtit nuk do të numërohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për Albanian Post se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, i ndryshuar në vitin 2010, ka qartësuar mënyrën e votimit.

“Nëse një subjekt politik ka të certifikuar 4 kandidatë dhe në fletëvotim janë shënjuar 5 numra evidentohen këto 5 shënjime, por ato nuk barten të gjitha në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve. Në këta formularë bartën vetëm votat e kandidatëve të certifikuar”, tha Elezi.

Albin Kurtit i është ndaluar të garojë për deputet pas aktgjykimin të Gjykatës Kushtetuese vitin e kaluar.

Organi më i lartë i drejtësisë kishte vendosur që të gjithë kandidatët për deputet që janë të dënuar me vendim të plotfuqishëm nga gjykata në tri vitet e fundit, nuk mund nuk mund të garojnë për ulësen e ligjvënësit.

Kurti më pas kishte bërë ankesë edhe në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykatën Supreme, por që edhe këto dy institucione ishin në një linjë me Kushtetuesen, duke mos ia lejuar Kurtit të garojë për deputet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore