Shqipëria

Votat e grisura të PD-së, në qesen e Ramës


Partia Demokratike, protestën e parë parlamentare kundër socialistëve, ka zgjedhur ta bëjë duke grisur fletët e votimit për kryetare të Kuvendit, ku kandidatura e vetme është ajo e Lindita Nikollës.

Mirëpo këtë akt, duket se nuk e ka pëlqyer Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai ka filluar të mbledhë copat e fletëve të votimit të hedhura në tokë. Më pas, i ka futur ato në një qese dhe i ka marrë me vete.

E menjëhershme ka qenë revolta e demokratëve në sallën e Kuvendit. Në britma, ata filluan të protestojnë, me arsyetimin se ky akt ishte jashtë rregullores, pasi fletët janë materiale zgjedhore dhe duhet të depozitohen në komision.

Rama, me në dorë qesen transparente me letra, është çuar rishtazi. Ai ia ka dhënë qesen e mbushur me votat e grisura të PD-së, Belind Këlliçit.

Ky i fundit është pjesë e komisionit për procedurën e zgjedhjes së kryetares së Parlamentit.

Me pak minuta “kaos” në sallë – episodi i parë i tillë në Legjislaturën e X-ë – votimi vijoi i qetë.

Pas përfundimit të seancës plenare, kryeministri Rama reagoi në median sociale Facebook.

“Mjedisi nuk është as i majtë as i djathtë dhe respekti për mjedisin është në radhë të parë respekt për veten, për njëri-tjetrin, për fëmijët tanë”, shkruan Rama në deklaratën e tij.

Hedhjen e mbeturinave, Rama nuk e ka konsideruar, “as mesazh politik, as gjest civil, as shprehje njerzillëku”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore