Lajme

“Vota e Serbisë kundër Kosovës”, Stano thotë se BE-ja është në dijeni


Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka konfirmuar se autoritetet evropiane të Brukselit janë në dijeni të faktit se Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE).

Lajmi u bë i ditur nga organizata mediatike “Radio Evropa e Lirë”.

I pyetur nga REL-ja, nëse BE-ja e konsideron këtë veprim shkelje të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, Stano refuzoi t’i përgjigjej.

Kujtojmë që më 27 shkurt kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve.

Një muaj më pas, më 18 mars krerët shtetërore u pajtuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Pikërisht, Neni 4 i kësaj marrëveshjeje specifikon se autoritetet serbe nuk do të kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

“Diskutimet për nënshkrimin (e marrëveshjeve – ed.) janë krejtësisht të kota dhe të parëndësishme. Ekziston një angazhim në nivelin më të lartë politik dhe ai angazhim tani është bërë i detyrueshëm në procesin e anëtarësimit për të dyja palët. Përparimi në dialog dhe zbatimi (i marrëveshjeve – ed.) do të reflektohet në rrugëtimin e tyre (të Kosovës dhe Serbisë – ed.) evropian”, pohoi Stano, duke cituar REL-në.

Nga 46 shtete të cilat votuan në Komitetin Ministror të Këshillit të Evropës për të marrë vendimin që t’ia përcjellin Asamblesë Parlamentare kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës, 33 shtetet, duke përfshirë edhe shtetet e rajonit si Shqipëria, Mali i Zi, Sllovenia, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia votuan pro, ndërsa 12 prej tyre kundër apo abstenim.

Sipas të dhënave që janë bërë publike Hungaria, Rumania, Qiproja, Spanja, Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Serbia votuan kundër, kurse Bosnjë dhe Hercegovina, Greqia, Sllovakia, Moldavia dhe Ukraina abstenuan.

Ky rezultat tregon se me më shumë se 2/3 e votave kanë qenë pozitive për të kaluar Kosova këtë fazë të procesit të gjatë të anëtarësimit në KiE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore