Film

“Vojcek”, drama e njeriut të kohës


“Vojcek” – një prej dramave më gjurmëlënëse të shekullit të XIX – zbriti në Teatrin Kombëtar.

Për të tronditur me mesazhet e forta mbi dinjitetin njerëzor, për të paraqitur krejt thjeshtë një botë të pazbërthyeshme.

Për të lënë shenjë te kushdo.

Vetë personazhi kryesor Vojcek, i interpretuar mjeshtërisht nga aktori Rafael Hoxhaj, është në luftë me ‘çmendurinë’.

Një luftë që, e portretizuar nga lëvizjet e mbrujtura me aq dhimbje depërtuese dhe tejet mbërthyese, të zgjon dilemat e strukura brenda nesh në ndonjë qoshe të mendjes.

Një luftë që, godet.

Gjithë çka Vojcek kërkon: të rifitojë identitetin e tij njerëzor. Por me çfarë çmimi?

Një ushtar i përmbytur nga ndjenjat e trazuara në një shoqëri shtypëse, i cili zgjedh vetë-sakrifikimin për të mbajtur familjen e tij.

Këtë, duke iu dorëzuar eksperimenteve me një çmim tejet të lartë: shëndetin e tij mendor.

“Është drama e njeriut të kohës, drama e njeriut të sotëm”.

Kështu e ka përcaktuar Neritan Liçaj, një nga aktorët e shfaqjes.

Ai tregon për Albanian Post se autori Georg Büchner është një nga pasardhësit më të denjë të lëvizjes “Stuhi dhe vrull”, lëvizjes iluministe të Gjermanisë.

“Në një lloj mënyre, si rrymë letrare dhe dramaturgjike, përfaqësuesit e asaj lëvizje e zhveshën nga epizmi i madh i iluminizmit, romantizmit, dhe e sollën dramaturgjinë më me këmbë në tokë”, dallon ai.

Në optikën e aktorit, autori e sheh realitetin ashtu siç është, njëfarë realizmi kritik.

Liçaj zbulon se pjesa flet për kalbëzimin e një shoqërie të tërë, e cila krijon një peshë aq të madhe mbi individin, duke e shkatërruar atë, duke e kthyer edhe në vrasës.

Për të, vënia në skenë e kësaj shfaqjeje dramaturgjike do të ketë një ndikim shumë të fortë.

Kurse për regjisorin, Kuniaki Ida, ai tregon se është përpjekur dhe ka punuar që ky realitet të vijë sa më thjeshtë nëpërmjet pak elementeve teatralë, të estetizuar dhe të përdorur deri në fund.

E gjitha, “në mënyrë që ky realitet ose më saktë kjo copëz e këtij realiteti gjerman, por që i përshtatet edhe realitetit shqiptar, të vijë sa më thjeshtë dhe sa më estetikisht bukur te spektatori”.

Pjesë e kastit janë edhe Elia Zaharia, Luli Bitri, Arben Derhemi, Igli Zarka, Erjona Kakeli, Adelina Muça, Donald Shehu, Besmir Bitraku, Hervin Çuli, Genti Deçka dhe Lulzim Zeqja.

Mbi regjisorin

Kuniaki Ida përfundoi studimet në Kolegjin Toho Gakuen për dega “Dramë dhe muzikë” në Tokio më 1973.

Ai u bë anëtar i studios prestigjioze Kobo Abe. Ai ka studiuar format tradicionale japoneze të dramës, ‘Noh’ dhe ‘Kyōgen’.

U diplomua në Ecole Internationale de Theatre “Jacques Lecoq” në 1975.

Që prej vitit 1989 ai është mësues në Civica Scuola d’Arte Drammatica “Paolo Grassi”.

Si regjisor i shfaqjeve teatrale dhe muzikore, por edhe instruktor aktrimi, ai ka punuar në Itali, Japoni, Korenë e Jugut, Portugali, Gjermani, Afrikën e Jugut, Hong Kong, Indi dhe Francë.

Kuniaki Ida është një nga themeluesit e Teatro Arsenale në Milano dhe Scuola di Teatro Arsenale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore