Lajme

Vizionar politik apo luftënxitës?


Pas një vizite në Pallatin e Versajës jashtë Parisit në vitet ’70, gazetarët e pyetën Henry Kissinger se si ishte Salla madhështore e Pasqyrave.

Ai u përgjigj se ishte “e mrekullueshme” pasi ishte “i rrethuar nga gjenitë”.

Për mbështetësit, Henry Kissinger është me të vërtetë një gjeni diplomatik që vazhdon të zotërojë artin e të dalluarit të arritjeve politike si askush tjetër.

Për kritikët, ai është një kriminel lufte. Për shumicën, ai dhe trashëgimia e tij politike qëmtojnë diku ndërmjet të dyjave.

Gjatë kohës së Kissinger-it fillimisht si këshilltar për politikën e jashtme dhe më vonë si sekretar shteti gjatë presidentëve Richard Nixon dhe Gerald Ford, ai kontribuoi në përfundimin e Luftës së Vietnamit.

Kjo, duke hyrë në një tension me Bashkimin Sovjetik, duke hapur marrëdhëniet e SHBA-ve me Kinën, duke përmbysur një udhëheqës të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe ridizajnimin e kufijve të disa vendeve.

Pas largimit nga detyra, ai vazhdoi t’u ofronte “konsulencë gjeopolitike” shumë liderëve ndërkombëtarë të pazbuluar me firmën e tij konsulente “Kissinger Associates”.

Edhe 100 vjet pasi lindi Heinz Alfred Kissinger në një familje hebreje në qytetin bavarez të Fürth, Kissinger shihet si një peshë e rëndë e politikës së jashtme ndërkombëtare dhe kontribuon me pikëpamjet e tij mbi çështjet gjeopolitike.

Ai shpesh ka paralajmëruar për rreziqet që paraqet inteligjenca artificiale për botën.

Duke e vendosur AI në të njëjtën ligë me rrezikun nga armët bërthamore, ai paralajmëron bashkëmoshatarët e tij më të rinj se ky është një “problem krejtësisht i ri”.

Alamet paralajmërimi nga një njeri që i ka parë të gjitha.

“Qëllimet justifikojnë mjetet”

Në pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia, Kissinger krijoi bujë duke bërë thirrje për një paqe të negociuar në nëntor.

Apeli i tij erdhi në një pikë kur aleatët perëndimorë të Ukrainës sapo kishin filluar të rrisnin ndjeshëm ndihmën e tyre ushtarake për Kievin.

Ndërsa Kissinger argumentonte se bisedimet e afërta ishin të nevojshme për të shmangur një luftë tjetër shkatërruese botërore, Kievi e akuzoi atë për “kënaqje ndaj agresorit”.

Ken Lieberthal, i cili ka punuar me Kissinger në disa raste gjatë dekadave të fundit, tha se njëqindvjeçari ka “një pamje të qartë të asaj që duhet bërë” dhe “si të shkojë nga këtu atje”.

Qasja e Kissinger kërkon “një vlerësim josentimental të aftësive”, shpjegoi Lieberthal.

Një ithtar i devotshëm i Realpolitik-ës, vetë Kissinger e përshkroi mendimin e tij për konfliktin në një mënyrë edhe më të drejtpërdrejtë: “Qëllimet justifikojnë mjetet”.

Kritikat e Ukrainës e lënë Kissinger-in të patrazuar.

Kur bëhet fjalë për trajtimin me Rusinë, Kissinger, i cili organizoi politikën e detentimit të Amerikës në vitet ’70, mund të tregojë vetë se ka qenë në prag të luftës me Rusinë.

Më vonë ai e përshkroi detentimin si “një strategji për zhvillimin e konfliktit me Bashkimin Sovjetik” që u bleu të dyja palëve kohë për diplomacinë dhe shmangien e një konflikti të nxehtë.

Në një ndryshim të rrallë mendimi, ai tani mbështet anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës në NATO, pasi arriti në përfundimin se “ideja e një Ukrainë neutrale në këto kushte” nuk ishte “më kuptimplotë”.

Por gatishmëria e tij për t’i parë parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut si jo parësore, por thjesht një faktor në ekuacionet e politikave të tij, ka bërë që avokatët e të drejtave të njeriut në mbarë botën të hidhërohen sapo dëgjojnë emrin e tij.

Senatori amerikan Bernie Sanders, një udhëheqës i së majtës politike të SHBA-ve, deklaroi me krenari se Henry Kissinger nuk është “miku im” duke e quajtur atë “sekretarin më shkatërrues të shtetit në historinë moderne” mbi politikat e tij në Azi në vitet 1970.

Si ‘të përshkosh një litar të ngushtë’

Kissinger e ka përshkruar qëndrimin e tij shpesh të diskutueshëm për lidershipin strategjik si “përshkimi i një litari të ngushtë” që “është pezull midis sigurisë relative të së kaluarës dhe paqartësive të së ardhmes”.

Kissinger ka shkruar gjerësisht për procesin e tij të vendimmarrjes.

Fillimisht ai fshehu bombardimet e Kamboxhias nga publiku amerikan.

Shtetet e Bashkuara synuan të mposhtnin Viet Kongun atje, por përfunduan duke mundësuar ngritjen vrastare të Khmerëve të Kuq, të cilët vlerësohet të kenë vrarë më shumë se 2 milionë njerëz.

Ai kishte synuar të siguronte një armëpushim që do t’i jepte fund Luftës së Vietnamit.

Të dy, ai dhe homologu i tij vietnamez i veriut, Le Duc Tho, u nderuan me Çmimin Nobel për Paqen për planin e tyre.

Vetëm Kissinger-i e pranoi çmimin dhe ai u përpoq të kthente Çmimin kur përpjekja për një paqe të negociuar dështoi në mënyrë spektakolare me rënien e Saigonit.

Vendimet që ai mori gjatë rrugës kushtuan dhjetëra mijëra jetë në Vietnam, Kamboxhia dhe Laos.

Sa herë që Kissinger flet publikisht, gjë që e bën edhe sot e kësaj dite, nuk ka dyshim se ai është i vetëdijshëm dhe nuk ka frikë nga pasojat e rënda që sjell veprimi i tij.

Dokumentet e Arkivit Kombëtar të viteve 70, të publikuara 40 vjet më vonë, dëshmuan se ai i bëri presion Nixon-it për të rrëzuar presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike Salvador Allende në 1973, sepse ai ndjeu se “efekti model i Kilit mund të jetë tinëzar” për interesin e SHBA-ve në rajon.

Duke vepruar kështu, Kissinger në mënyrë efektive mundësoi ngritjen e diktatorit kilian Augusto Pinochet, qeveria e të cilit vrau dhe torturoi mijëra njerëz.

Një efekt afatgjatë politik ndaj Kinës

“Ai gjithmonë mendonte në termat e një lloj pushteti të ekuilibruar”, tha Liberthal për mbështetjen e Kissinger për ndërhyrjet në ato që duhet të ishin procese demokratike.

Sipas Lieberthal, Kissinger u nxit nga llogaritja se “dominimi nga një vend do të prodhonte përpjekje nga të tjerët”.

Shmangia e paqëndrueshmërisë që mund të prodhonte një reaksion i tillë zinxhir, e çoi Kissinger-in drejt njohjes historike të Kinës nga Nixon në vitin 1972, një politikë që vazhdon të detyrojë SHBA-të ndaj një angazhimi se “Tajvani është pjesë e Kinës”.

Tensionet që po zhvillohen aktualisht në ngushticën e Tajvanit dhe frika e një lufte mbi Tajvanin shënojnë shtrirjen e lidershipit të Kissinger-it në politikën e jashtme amerikane nga vitet ’70 deri në ditët e sotme.

Kissinger mund të pretendojë se ka njohur trajektoren e Kinës drejt një fuqie globale dhe rivale sistematike dekada përpara shumicës së bashkëmoshatarëve të tij.

Një legjendë amerikane me rrënjë gjermane

Ndërsa Kissinger feston ditëlindjen e tij të 100-të sot, politikanët dhe studiuesit në mbarë botën do të vazhdojnë të debatojnë mbi rëndësinë dhe ndikimin e politikave të mbrojtura me pasion nga një legjendë amerikane, anglishtja me theks të së cilës vazhdon të zbulojë rrënjët e tij gjermane.

Marrë dhe përshtatur nga Deutsche Welle për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore