Lajme

Vitia në klinikën e Gastroenterologjisë: Kërkesat e qytetarëve për shërbim janë rritur, stafi t’i adresoj të gjitha


Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia në klinikën e Gastroenterologjisë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë vizitës së tij në Klinikën e Gastroenterologjisë me Hepatologji është informuar se janë shtuar kërkesat e qytetarëve për të marrë shërbime.

Përmes një komunikate për media nga MSH-ja është thënë se për 6 muaj janë realizuar mbi 1 mijë gastroskopi.

“Nga drejtoresha e kësaj klinike, Dr Fitore Komoni, Ministri Vitia u njoftua se në Klinikën e Gastroenterologjisë me Hepatologji janë shtuar kërkesat e qytetarëve për të marrë shërbime. Sipas raportit të punës, përgjatë 6 mujave të parë të këtij viti, janë realizuar 1 mijë e 33 gastroskopi dhe 709 kolonoskopi”, thuhet në komunikatë.

Vitia, paraqiti edhe një kërkesë ndaj punonjësve shëndetësorë.

“Ai kërkoi nga stafi udhëheqës që t’i adresojnë të gjitha kërkesat të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, sidomos në rastet kur kërkesat për diagnostikim dhe trajtim të pacientëve janë më të shpeshta”.

Teksa, theksohet se MSH-ja është e angazhuar që qytetarët të marrin shërbimet në nivelin e duhur në institucionet publike.

“Ministri Vitia tha se Ministria e Shëndetësisë mbetet e angazhuar që të krijojë parakushte sa më të favorshme për qytetarët që marrin shërbime në institucionet publike”.

Edhe të martën, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se Klinika e Onkologjisë është bërë më një investim të ri në vlerë me mbi 1 milion euro.

Investim për të cilin u raportua se është në Klinikën e Onkologjisë tash e një vit, por që i njëjti nuk ishte përdorur.

“Në Klinikën e Onkologjisë investimi i ri është në vlerën 1 milion e 444 mijë euro. Së shpejti për qytetarët tanë që janë pacientë në Onkologji, do të jetë në shërbim akseleratori i ri”.

Por sipas tij, ky projekt është duke përfunduar para kohës së planifikuar.

Nga pacientët vazhdimisht ka pasur ankesa për mungesë të barnave në Klinikën e Onkologjisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore