Shqipëria

Viti i ri shkollor do të nisë më herët


Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri, Evis Kushi ka bërë të ditur të martën e 13 korrikut, se viti i ri shkollor do të nisë dy javë përpara datës zyrtare.

Ajo deklaroi se ky vendim është marrë me qëllim për të rikuperuar të gjitha mangësitë nga mësimi online.

Sipas ministres ky plan do të zbatohet në varësi të nevojave specifike që do të ketë çdo shkollë.

“Jemi të vetëdijshëm që ka pasur edhe mangësira në njohuri apo kompetenca të nxënësve. Për këtë arsye, në muajt e fundit kemi punuar intensivisht edhe me ekspertët e MASR dhe ASCAP për të hartuar një strategji se si t’i plotësojmë këto mangësi. Ne kemi vendosur që për vitin e ardhshëm 2021-2022, dy javë përpara datës zyrtare të fillimit të vitit shkollor, ne do të kemi mësimin plotësues në të gjitha shkollat tona. Ky do të jetë një plan fleksibël në varësi të nevojave specifike që ka çdo shkollë apo zyrë arsimore”, ravijëzoi Kushi.

Ndërkaq, Kushi theksoi se ndryshimet e mëdha që po pëson arsimi në Shqipëri janë të mëdha, si në teknologji dhe në mësimëdhënie.

Ajo tha se është bërë një punë mjaft e madhe për të afruar sitemin arsimor me atë të vendeve të zhvilluara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore