Sport

Vit i mallkuar për Carvajal-in


Mbrojtësi i Real Madrid-it, Dani Carvajal-i, ditën e enjte u dëmtua përsëri, duke shtuar edhe numrin e dëmtimeve për këtë sezon. Mbrojtësi i djathtë pritet të mungojë në ndeshjen e kthimit kundër Chelsea-t në Ligën e Kampionëve.

Krahu i djathtë i mbrojtjes së Real Madrid-it, ka qenë një problem jo i vogël për Zinedine Zidane këtë sezon. Dani Carvajal është titullar i padiskutueshëm në të djathtën e mbrojtjes së Real-it, por ky vit ka qenë i mbrapsht për të.

Lojtari i datëlindjes 1992, pas fillimit të La Ligës në shtatorin e kaluar, pra në fillim të këtij sezoni, pas tre ndeshjesh mori ndalesën e parë për shkak dëmtimi. Më 2 tetor klubi njoftoi se ai vuante nge një dëmtim në gjurin e djathtë.

Kthimi në fushën e blertë nga Carvajal-i u bë më 21 nëntor, në përballjen me Villarreal-in. Më 25 nëntor, ai u përballë me Inter-in në Ligën e Kampionëve, por u dëmtua gjatë këtij takimi. Më 27 nëntor, Real-i njoftoi dëmtimin e mbrojtësit.

Rikthimi në fushë, u bë në 12 dhjetor, në derbin kundër Atletico Madrid-it. Atë ndeshje, Carvajal-i luajti 78 minuta. Më pas vijoi të luante rregullisht, deri më 2 janar, kur pësoi një tjetër dëmtim të muskujve.

14 shkurti ishte data e radhës, kur Carvajal-i do të dilte në fushën e lojës dhe përballë Real-it në këtë ndeshje ishte Valencia. Spanjolli luajti 26 minuta në atë sfidë.  Rikuperimi dhe minutazhi që 29-vjeçari merrte, vijonte normalisht dhe në rritje.

Ai luajti 31 minuta përballë Cadiz-it, 67 minuta përballë Real Betis-it dhe 76 minuta përballë Chelsea-t, në Ligën e Kampionëve.

Ditën e enjte, klubi njoftoi dëmtimin e radhës të Carvajal-it dhe përsëri në muskujt e këmbës së djathtë. Ky ishte dëmtimi i pestë për këtë sezon dhe duket se mbrojtësi e ka mbyllur sezonin tashmë. Ai ka luajtur vetëm 15 ndeshje nga 31 dhe ka munguar 158 ditë.

Spanjolli është nën kontratë me Real Madrid-in deri në 2022 dhe klubi e dëshironte rinovimin e saj deri në 2024, por me dëmtimet e shumta dhe të herëpasherëshme nuk i dihet nëse qëndron përsëri dëshira e klubit për një rinovim deri në 2024.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore