Shqipëria

Vincenzo del Monaco: Shqipëria, shembull pozitiv në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore


Në konferencën e 17 qershorit kundër trafikimit të qenieve njerëzore, Ambasadori dhe kreu i OSBE-së, Vincenzo del Monaco, përgëzoi nismat e shtetit shqiptar për luftimin e këtij fenomeni.

“Trafikimi i qenieve njerëzore nuk ka kursyer asnjë shtet, është një plagë globale. Disa shtete si Shqipëria, janë shembuj pozitivë me nismat serioze për luftimin e këtij fenomeni”, theksoi del Monaco.

Kjo konferencë organizohet nga prania e OSBE-së në Shqipëri. Pjesëmarrës në konferencë janë edhe Ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim dhe zv. ministrja e Brendshme, Romina Kuko.

Fjala hapëse

Fillimisht del Monaco foli për një përfshirje të OSBE-së në angazhimin kundër këtij fenomeni që është plagë ndërkombëtare dhe luftohet përmes programeve kombëtare.

Vincenzo del Monaco foli për miliona njerëz që bëhen përvit viktima të trafikimit njerëzor.

“Trafikimi”, shtoi del Monaco, “vjen nga pabarazia dhe ndasitë e forta shoqërore nëpër shtete të ndryshme”.

Sipas del Monaco-s, trafikimi ka efekte sociale dhe ekonomike në shtetet që bëhen dëshmitare të këtij fenomeni.

“Tirana ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm”, nënvizoi del Monaco.

Del Monaco evidentoi dhe rikujtoi se trafikimi i qenieve njerëzore është një krim dhe si i tillë sjell përfitime financiare te organizatat kriminale që e drejtojnë këtë rrjet.

Zv.ministrja e Brendshme, Romina Kuko
Në fjalën e saj, zv. ministrja e Brendshme, Romina Kuko falenderoi praninë e OSBE-së në Shqipëri për bashkërendimin e punëve me institucionet e Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme.

Kuko theksoi se OSBE-ja është gur themeli në luftimin e parandalimit të këtij fenomeni. Sipas Kukos, çështjet e migrimit të parregullt janë çështje shumë të ndjeshme për Ballkanin Perëndimor.

Ajo shtoi se kjo mbetet një sfidë e institucioneve shtetërore.

“Qeveria shqiptare po punon në mënyrë intensive me BE-në”, nënvizoi Kuko. Sakaq ajo vuri në dukje rolin e njësive vendore në parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe mbrojtjes së viktimave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore