Lajme

“Viktimat e Jeffrey Epstein” – Padi kundrejt Princit Andrew


Një grua amerikane që pretendon se u nis në Mbretërinë e Bashkuar në moshën 17 -vjeçare për të kryer marrëdhënie intime me Dukën e York-ut, ka ngritur një çështje civile në New York duke pretenduar se ai kishte abuzuar me të.

Virginia Giuffre, e cila ishte një nga viktimat e  një “rrjeti të gjerë” të vajzave të mitura për shfrytëzim seksual nga Jeffrey Epstein – pretendon se ajo ishte sulmuar seksualisht nga Princi Andrew në Londër dhe New York.

Princi Andrew vazhdimisht i ka mohuar pretendimet e Giuffre-s.

Rasti i Giuffre citon “Aktin e Viktimave të Fëmijëve të New York-ut”, i cili zgjeroi të drejtat e viktimave për të paditur abuzuesit e tyre.

Rasti pretendon se princi kreu marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e saj, duke e ditur sa vjeç ishte dhe “se ajo ishte një viktimë e trafikimit seksual”.

Ai thotë se “sjellja ekstreme dhe e egër” e vajzës në fjalë vazhdon t’i shkaktojë “shqetësim emocional dhe psikologjik”.

“Në këtë vend asnjë person, qoftë president apo princ, nuk është mbi ligjin, dhe asnjë person, pavarësisht sa i pafuqishëm ose i prekshëm, nuk mund të privohet nga mbrojtja e ligjit”, shkruhet në dokumente.

“Njëzet vjet më parë pasuria, fuqia, pozita dhe lidhjet e Princit Andrew i mundësuan atij të abuzonte me një fëmijë të frikësuar, të cenueshëm dhe askush nuk e mbronte atë. Ka kaluar shumë kohë dhe ai duhet të mbajë përgjegjësi”, vijon më tej dokumenti

Duke folur për akuzat e Giuffre-s në vitin 2019, Princi Andrew tha se ato “nuk ndodhën kurrë”.

“Nuk ndodhi. Mund të them absolutisht në mënyrë kategorike se nuk ka ndodhur kurrë. Nuk më kujtohet të kem takuar ndonjëherë këtë zonjë, asnjëherë”, tha ai për “BBC Newsnight”.

Në një deklaratë të mëvonshme, Princi Andrew tha: “Unë vazhdoj të pendohem pa mëdyshje për lidhjen time me Jeffrey Epstein”.

“Vetëvrasja e tij ka lënë shumë pyetje pa përgjigje – veçanërisht për viktimat e tij –  unë thellësisht simpatizoj të gjithë ata që janë prekur dhe duan një lloj mbylljeje”.

“Unë vetëm mund të shpresoj se, me kalimin e kohës, ata do të jenë në gjendje të rindërtojnë jetën e tyre. Sigurisht, unë jam i gatshëm të ndihmoj çdo agjenci të përshtatshme të zbatimit të ligjit me hetimet e tyre, nëse kërkohet”.

Ankesa e re ligjore pretendon se princi dhe përfaqësuesit e tij kanë refuzuar kërkesat për të dhënë “çfarëdo fakti, konteksti ose shpjegimi që mund të ketë, dhe për të eksploruar qasje alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve”.

Ndërkohë “BBC” ka kontaktuar me Pallatin Buckingham dhe përfaqësuesit e Princit Andrew për koment.

Rasti pretendon se princi abuzoi seksualisht me Giuffre – e njohur atëherë si Virginia Roberts – në shtëpinë në Londër të bashkëpunëtores së Epstein, Ghislaine Maxwell. Si dhe në shtëpitë e Epstein në Manhattan dhe “Little St James” në Ishujt e Virgjër të SHBA-ve.

Maxwell është deklaruar e pafajshme për akuzat federale se ajo kishte komplotuar me Epstein në abuzimin e katër vajzave nën moshë. Ajo do të dalë në gjyq në nëntor.

“Akti i Viktimave të Fëmijëve të Shtetit të New York-ut” u përshkrua nga Guvernatori Andrew Cuomo vitin e kaluar si një “rrugë drejt drejtësisë” për njerëzit që pretendojnë se ishin abuzuar kur ishin nën moshë dhe kishin për qëllim të ndihmonin “krimet që kaluan të panjohura dhe të pandëshkuara”.

Ai u miratua në vitin 2019 dhe fillimisht lejoi që të ngriheshin raste për pretendime të cilat ishin të parashkruara ose u kishte kaluar afati, gjatë një periudhe njëvjeçare. Ajo u zgjat më tej deri më 14 gusht të këtij viti për shkak të pandemisë COVID.

Më vete, një hetim i pavarur zbuloi këtë muaj se Cuomo ngacmonte gra të shumta. Cuomo i ka mohuar këo akuza të papërshtatshme dhe u zotua të qëndrojë në detyrë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore