Shqipëria

Vijon ulja e rasteve të reja dhe vdekjeve nga Covid-19


Gjatë 24 orëve të fundit, gjashtë persona kanë humbur betejën me coronavirus-in dhe kanë rezultuar pozitivë 349 qytetarë në Shqipëri.

Gjatë kësaj dite vërehet një ulje e numrit të rasteve të reja. Si dhe numri i vdekjeve nga Covid-19 ka pësuar rënie.

Aktualisht në spitalet COVID, në Tiranë dhe në spitalet rajonale Shkodër, Durrës, Elbasan, janë duke u trajtuar 279 pacientë. Nëntë prej tyre ndodhen në terapi intensive, nga të cilët dy janë të intubuar.

Janë kryer 2 mijë 899 testime dhe janë shëruar 604 qytetarë.

Gjithashtu gjatë fundjavës dhe ditëve në vazhdim ka nisur vaksinimi masiv, kryesisht për grupmoshat +70 vjeç.

Gjatë kësaj dite ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale (MSHMS), Ogerta Manastirliu deklaroi se brenda ditës do të vaksinohen mbi 150 mijë persona, kryesisht të moshuar.

Më 31 mars, u mblodh sërish Komiteti i Ekspertëve, ku vendosi të zgjasë me dy javë masat shtrënguese në kuadër të pandemisë. Orari i kufizimeve nuk ndryshon. Po ashtu, edhe rregullat për grumbullimet.

Po ashtu, kryeministri Edi Rama, konfirmoi se janë siguruar 50 mijë vaksina të tjera Astrazeneca, jashtë marrëveshjeve të deritanishme.

Gjithashtu të shtunën e 27 marsit u lajmërua nga Rama, se në rajon do të vijnë 651 mijë vaksina Pfizer.

MSHMS-ja ka aprovuar gjithashtu vaksinën kineze.

Ministria gjithashtu ju bën apel të gjithë qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë rregullat për parandalimin e COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore