Shqipëria

Vijon restaurimi i Kalasë së Prezës


Vijon restaurimi i Kalasë së Prezës, një prej monumenteve më të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit 2019.

“Restaurimi i kullave të Prezës ka një shkallë vështirësie të konsiderueshme”.

“Aktualisht po punohet për të trajtuar të gjitha dëmtimet në kullën e sahatit, kullën rrethore dhe murin fortifikues, për të arritur stabilizimin dhe përforcimin e strukturave”, shkruan në Facebook, ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Kalaja e Prezës ka një vlerë specifike historike, duke iu referuar faktit që është ndërtuar gjatë fazës së parë dhe të dytë të katër fazave historike të realizimit të Kalasë.

Ajo është ndërtuar mbi një shkëmb, i cili zgjatet duke u ulur në drejtim të veri-jugut.

Ana lindore e kalasë është e mbrojtur nga vetë terreni, kurse ana perëndimore përbën një territor të sheshtë, prandaj dhe fortifikimi është përqendruar pikërisht në këtë pjesë.

Përmasat e vogla të saj, si dhe qëndrueshmëria jo shumë e madhe e mureve rrethuese, e klasifikojnë këtë kala si një objekt që ka shërbyer për vëzhgimin e rrugëve të rëndësishme ekonomike dhe ushtarake, që kalonin poshtë saj, nëpër fushën e Tiranës.

Albanologu dhe eksploratori gjerman, Hahn, kur kaloi në këtë zonë e përshkroi:

“Vetë kështjella ndodhet në majën më të lartë të vargut kodrinor që shtrihet ndërmjet këtyre dy luginave. Pjesa e këtij vargu kodrinor që takohet fillimisht në këtë majë quhet Varosh dhe thuhet se këtu të ketë qenë vendosur qyteti në kohët e lashta”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore