Shqipëria

Vidhnin banesa me çelësa të klonuar, një i arrestuar dhe një në kërkim


Operacioni policor i koduar “Smart keys” është përmbyllur me arrestimin e një shtetasi dhe shpalljen në kërkim të bashkëpunëtorit të tij.

Autoritetet kanë zbardhur dhe dokumentuar 14 raste të vjedhjes së banesave, me anë të çelësave të klonuar.

Ata kanë sekuestruar çelësa të ndryshëm, pajisje alumini që shërbejnë për veshjen e çelësave, dy aparate celulare, një bajonetë, një përforcues grushti, veshje si dhe dy automjete që autorët dyshohet se e përdornin gjatë kryerjes së vjedhjeve.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit A. G., 45 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasje me paramendim”.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi G. K., 48 vjeç, i dënuar më parë për të njejtën veprimtari kriminale, në shtetin gjerman.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, me anë të çelësave të klonuar, kanë vjedhur shuma parash dhe sende me vlerë, në 14 banesa në zona të ndryshme të Tiranës.

Policia nënvizoi se po vijon puna për kapjen e shtetasit G. K., si dhe dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjes që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore