Lajme

“Vetëvendosje nuk i përfshiu në program qeverisës 48% të premtimeve elektorale”


Qeveria e Kosovës, nën udhëheqjen e Kryeministrit Albin Kurti, në legjislaturën e dytë

“Në programin qeverisës Kurti II nuk janë përfshirë 48 përqind e premtimeve elektorale”, ka deklaruar Erblin Hoxha, nga Lëvizja FOL, pas monitorimit të punës së qeverisë, që ka bërë kjo organizatë nga fillimi i punës e deri tani.

“48 përqind e premtimeve që Lëvizja Vetëvendosje i kishte dhënë në fushatën për zgjedhje nacionale janë të përfshira”, ka vazhduar më tej Hoxha duke prezantuar ka prezantuar gjetjet e hulumtimit ‘Realizimi i planit të punës së qeverisë për periudhën mars-shtator 2021’.

Erblin Hoxha, nga Lëvizja FOL

“Ne, si Lëvizje FOL, bashkë me PIPS-in, qëllim kryesor kemi monitorimin e një cikli të politikëbërjes dhe të punës së qeverisë. Kemi filluar përmes një analize për t’i shikuar pikat kryesore të programit, që e ka prezantuar Lëvizja Vetëvendosje gjatë fushatës elektorale”.

“Pra i kemi parë edhe e kemi bërë një përplasje të atyre pjesëve, bashkë me përfshirjen e aktiviteteve specifike në program qeveritar edhe i kemi parë gjërat, të cilat janë përmendur në fushatë, e nuk janë integruar”.

“Nga këto statistika ka dalë që 44% e atyre premtimeve janë të integruara si aktivitete, ndërsa 48% nuk janë të integruara fare në program qeverisës. Pra, në praktikë i bie që Lëvizja Vetëvendosje, gjatë fushatës elektorale, ka pasur elemente specifike që i ka përmendur që duhet t’i bëjë, por që së paku për këta katër vjetët e parë nuk i kanë planifikuar në aktivitete”, tha Hoxha.

Ndërkaq, sa i përket realizimit të planit të punës së qeverisë, Hoxha tha se, sipas të dhënave të hulumtimit, vetëm 35% të aktiviteteve të parapara për gjashtëmujorin e parë janë përfunduar.

“Pika e dytë e hulumtimit është monitorimi i realizimit të planit të punës të qeverisë, e kjo është një çështje pak më delikate, sepse ne e marrim një plan të qeverisë që çdo ministri e prezanton dhe zyra e kryeministrit”.

“Pra, është një dokument jashtëzakonisht voluminoz, ku secila ministri i ka të paraqitura objektivat, aktivitetet si dhe e ka një aspekt kohor për realizim të atyre aktiviteteve. Çfarë ne si ‘Lëvizje FOL’ kemi bërë është që për gjashtë muajt e parë, pra me kohën e përfundimit të 30 shtatorit, i kemi dërguar pyetjet te sekretarët e secilës ministri si dhe zyrës së kryeministrit dhe i kemi pyetur sipas planit të punës a do të përfundohen aktivitetet”.

“Pra është një marrje e të dhënave nga vetë zyrat nga secila nga ministritë dhe nga këto del që vetëm 35%, 35.07% e aktiviteteve që janë paraparë në këtë gjashtëmujorin e parë të qeverisë janë të përfunduar brenda kësaj kohe”.

“Për periudhën gjashtëmujore janë paraparë të përfundohen 345 aktivitete në përgjithësi nga të gjitha ministritë dhe zyra e kryeministrit, 121 janë përfunduar, 28 nuk janë përfunduar fare, ndërsa 196 janë në proces”.

“Nga fillimi i tetorit e deri tash shumë prej këtyre kane mundur të ndërrohen, pra nuk e dimë nëse ajo është realizuar apo jo, por raportin komplet të vitit e marrim në janar, pasi të përfundojë periudha e plotë e vitit”, tha Hoxha.

Miftaraj: Kjo qeveri po merret me tema të mëdha për të ikur nga problemet e përditshme

Ehat Miftaraj, Instituti i Kosovës për Drejtësi

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka vlerësuar se qeveria Kurti II, po merret  me tema të mëdha, për t’u ikur problemeve të përditshme, njëjtë sic kanë bërë qeveritë e mëparshme.

“Kjo qeveri është e vërtet që ka një plan shumë ambicioz. Fatkeqësisht ka një planifikim jo shumë serioz, nëse marrim vetëm agjendën legjislative që e ka bërë miratimin e 193 ligjeve, me rishikim 188 sepse janë tërhequr pesë projektligje, aktualisht në kuvend janë miratuar vetëm 18 projektligje, 10 përqind pra”.

“Qeveria i ka miratuar 105 prej tyre. Kjo qeveri ka ardhur në pushtet për shkak të sundimit të ligjit, qytetarët kanë pasur shpresën te kjo qeveri se ka për të ndryshuar mentalitetin, ka për ta ndryshuar praktikën e ish-qeverive më herët”.

Miftaraj në Klan Kosova ka thënë se qeveria aktuale ka probleme serioze.

“Kemi një problem serioz të kësaj qeverie. Me caktimin e prioritete ku rol ka luajtur se kjo qeveri s’ka qenë në gjendje me pas një dialog të strukturuar, një dialog konstruktiv me partnerët ndërkombëtarë, me identifikuar cilat janë prioritetet e kësaj qeverie për sundimin e ligjit për këtë vit ose në të ardhmen”.

Ai strategjinë mbi sundimin e ligjit e ka konsideruar si strategji sektoriale.

“Strategjia është kryer në kohën e Abelard Tahirit pastaj nga qeveria Kurti I. Albulena Haxhiu ka bërë disa ndryshime, Selim Selimi ka ndryshuar, çdo ministër që ka ardhur ka dashur të ndryshojë diçka”.

“Kështu që puna e madhe është kryer në atë kohë. Nuk them që nuk është sukses që është miratuar por thash nuk ka qenë në top prioritetet siç ka qenë kërkesa e partnereve ndërkombëtarë”.

Haxholli: Politikat e jashtme dhe dialogu, më sfidueset për Qeverinë Kurti

Violeta Haxhollin, nga KDI

Ndërsa për Violeta Haxhollin, nga KDI-ja, Qeveria Kurti ka një qasje të re në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, krahas qeverive të kaluara.

Megjithatë, sipas saj, nuk është shënuar ndonjë progres në këtë fushë, madje ka pasur një kthim në tema të mëhershme.

“Nëse isha ndalë të politika e jashtme, ku hynë edhe në mandatin e kryeministrit edhe në mandatin e Ministrisë të Punëve të Jashtme, ne si KDI më afër e kemi monitoruar procesin e dialogut Kosovë – Serbi dhe në këtë proces ka pasur një qasje të re të kësaj qeverie, në krahasim me qeverisjet e kaluara.”

“Megjithatë, deri më tani, duke e parë gjithë dinamikën e procesit të dialogut, nuk është që ka ende ndonjë progres konkret, siç po e shohim edhe me zhvillimet e fundit, dialogu është rikthyer në temat e mëhershme, ndoshta edhe në tema të vitit 2011, siç ishte çështja e targave, e cila në një mënyrë u imponua paksa në tryezë, për shkak të zhvillimeve që ndodhen”.

“Pastaj është edhe çështja e energjisë, një çështje që duhet të zgjidhet dhe të adresohet nga kjo qeveri, e kam fjalën për çështjen e faturave në pjesën veriore, e cila po ashtu është një temë e trashëguar dhe e paraparë në marrëveshjet që janë arritur në kuadër të proceseve të kaluara.”

Haxholli tha se kësaj qeverie i është imponuar prioritizimi i dialogut me Serbinë dhe se politikat e jashtme dhe dialogu do të jenë një nga temat më sfiduese të kësaj qeverie.

“Nëse ndalemi të politika e jashtme, atëherë mendoj se qasja e qeverisë deri më tani ka qenë të propozohet iniciativa të reja edhe propozime të reja, megjithatë palët e përfshira në proces nuk është se janë mirëpritur shumë”.

“Kemi pasur refuzim të njëpasnjëshëm te të gjitha propozimet që kanë ardhur nga ana e kryeministrit në procesin e dialogut. Pastaj kemi çështje si marrëveshjet, janë diku 35 marrëveshje të dialogut Kosovë-Serbi, të cilat tani po e shohim se sa po e sfidojnë këtë qeveri”.

“Është çështja e asociacionit, pastaj është çështja e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Manastirin e Deçanit, pra janë çështje që vetvetiu kanë ardhur në tavolinë edhe përse qeveria në fillim nuk i ka pasur prioritet këto çështje dhe nuk i ka paraparë shumë lart në listën e prioriteteve të programit qeverisës, por këto tema kanë gjetur rrugën që të ngjiten lart në agjendë, duke e detyruar qeverinë të merret me to”.

“Pra është mjaft sfiduese, besoj që politika e jashtme dhe procesi i dialogut do të vazhdojnë të jenë një nga çështjet me sfiduese për këtë qeveri, ashtu siç ka qenë edhe për qeveritë e kaluara”, u shpreh ajo.

Ajo tha se duhet pasur shumë kujdes në mënyrën se si do t’u qaset qeveria këtyre temave.

“Nuk ka ndonjë ndryshim në këtë aspekt dhe duhet pasur shumë kujdes në mënyrën se si do t’u qaset qeveria këtyre temave dhe gjithmonë kjo duhet të bëhet duke pasur parasysh rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë, në mënyrë që të mos e shohim qeverinë në ndonjë konfrontim të ri, siç e kemi pasur me qeveritë e kaluara, ku për shkak të tarifës apo masave të reciprocitetit, kemi pasur mospajtime brenda qeverisë apo edhe rënie të qeverive”, u shpreh Haxholli.

Shamolli: Qeveria Kurti duhet të fokusohet në planifikim më të mirë

Naser Shamolli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike

Të gjeturat e raportit ‘Realizimi i planit të punës së qeverisë për periudhën Mars-Shtator 2021’ të realizuara nga Lëvizja FOL dhe PIPIS, treguan se në planin qeverisës Kurti 2 janë përfshirë 44% e premtimeve elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa janë realizuar 35% e aktiviteteve të parapara për gjashtë mujorin e parë.

Duke i komentuar këto të dhëna, Naser Shamolli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, tha se të ky është një indikator i qartë që qeveria në të ardhmen duhet të fokusohet në planifikim më të mirë të aktiviteteve.

“Raporti duhet parë nga dy perspektiva, sa janë përkthyer të gjitha ato zotime që u thanë në një plan konkret të realizueshëm, edhe e dyta sa ka qenë i saktë planifikimi që është bërë”.

“Ne e dimë që ka pasur një vonesë te planifikimi dhe plani ka dalë me disa muaj vonesë. Kjo është një indikator i qartë edhe për qeverinë që ne të ardhmen të fokusohet në një planifikim me të mirë.”

Shamolli tutje tha se raporti nuk mund të kontestohet duke qenë se të dhënat janë marrë nga qeveria, derisa shtoi se një matje kualitative në vend të asaj kuantitative do të kishte sjellë rezultate edhe më të sakta.

“Po kthehem pak tek kualiteti i raportit, po është kuantitativ për nga pikëpamja për shkak se i ka grumbulluar disa aktivitete dhe ato arritje janë matur me tika se sa janë realizuar, por nuk kemi ende një saktësi se me të vërtetë a janë përmbushur ato 35 aktivitete, matja është bërë me inikator kuantitativ, jo dhe kualitativ që kjo sigurisht do të bëhet ndoshta në të ardhmen.”

“Është i saktë pasi po vjen nga qeveria dhe ne në ketë pikë nuk mund të sfidojmë në pikëpamje të saktësisë për shkak se të dhënat janë siguruar nga qeveria. Është shqetësuese për aktivitetet që janë në proces, për shkak se edhe këtu mund të debatojmë gjatë se çka është në proces, pasi nuk kemi një raport kualitativ”.

“Pasqyra mund të jetë e përgjithshme, por alarm që qeveria në vitet në vijim të mobilizohet dhe të parashikojë aktivitete me të realizueshme edhe të bazuara në evidencë. Është diçka që është përcjellë me vite, unë kam qenë pjesë e sektorit publik për mbi 15 vite edhe huqja më e madhe është bërë në ketë aspektin që plani i punës është bërë për të përfshi gjithçka dhe në fund kemi dalë me rezultate siç u prezantuan” tha Shamolli në Klan Kosova.

Kryeziu: Për bindjen time, ka shumë më shumë integrim sesa thonë shifrat

Përparim Kryeziu, Zëdhënës i Qeverisë Kurti

Me të gjeturat e monitorimit të punës së qeverisë, nga FOL-i dhe ankesat e shoqërisë civile, nuk u pajtua zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu, i cili u shpreh i bindur se në planin qeverisës janë integruar më shumë premtime sesa thuhet në bazë të shifrave.

“Ka shumë premtime, të cilat janë të parapara në programin zgjedhor, të cilat janë të inkuadruara e të integruara në programin qeverisës në kuptimin e parimeve dhe kaheve të politikave, të cilat qeveria do t’i ndërmarrë përgjatë afatit katërvjeçar”.

“Për bindjen time, ka shumë më shumë integrim sesa thotë shifra paraprake, sepse ka shumë çështje që do të operacionalizohen, në kudër të programit qeverisës, e që mund të mos jenë të specifikuara. Por megjithatë janë të përfshira në objektivat kryesorë, prioritetet kryesore dhe parimet kryesore”.

“Jam më se i bindur që më tepër ka pjesëmarrje nga programi i Lëvizjes Vetëvendosje në programin e Qeverisë Kurti, sesa është paraqitur këtu”.

Tutje, Kryeziu tha se para integrimit të premtimeve elektorale në program zgjedhor, bëhet rishikimi i premtimeve për të parë se sa janë të zbatueshme.

“Programi zgjedhor përjeton një rishikim në kuptimin e zbatueshmerisë së tij në rrethanat, në të cilat gjendet qeveria, kapacitetet që ka qeveria, qoftë ato buxhetore, qoftë ato humane e kështu më radhë, kështu që me iu përshtatë këtyre dyjave, mirëpo duke mos u shmangur asnjëherë nga një premtim elektoral, në bazën e të cilit keni fituar mbështetjen”.

“Një pjesë e konsiderueshme e aktiviteteve të parapara në planin operacional janë në proces e sipër.”

“Tash në zbatimin e tyre gjithmonë do të ketë pengesa, të cilat mund ta shtyjnë zbatimin, nuk do të thotë që plani nuk do të përmbushet, po ashtu nuk do të thotë që në një moment të caktuar secila ministri, përfshirë këtu edhe Zyrën e Kryeministrit, do të bëjë një rivlerësim të intensitetit të punës, me të cilin iu është qasë edhe kapaciteteve që ajo ka në zbatimin sa me të madh të programit, planeve operacionale” tha Kryeziu.

Kryeziu ka shtuar se Qeveria Kurti ka shënuar të arritura të jashtëzakonshme gjatë kësaj periudhe të qeverisjes, ndër të cilat edhe sigurimi i më shumë se dy milionë vaksinave dhe hartimi i pakos për ringjalljen ekonomike.

“Sigurimi i më shumë se 2 milionë vaksinave dhe një proces i vaksinimit, i cili e ka nxjerrë Kosovën nga vendi i fundit në rajon në vendin e parë në rajon sa i përket përqindjes së popullatës së vaksinuar, sikurse edhe sa i përket përqindjes së popullatës së rritur të vaksinuar, që këtë javë ne tashmë kemi 60% të qytetarëve mbi moshën 18-vjeçare”.

“Pra kategoria e parë e njohur, e cila i është dashur t’i nënshtrohet vaksinimit tashmë është vaksinuar me 60%, kurse e njëjta kategori me të paktën një dozë ka mbi 66%, pra kjo është një arritje e jashtëzakonshme.”

“Programi i qeverisë i ka dy prioritete kryesore, e ka menaxhimin e pandemisë dhe ringjalljen ekonomike, tash në njërin nga prioritetet Qeveria e Republikës së Kosovës ka realizuar një sukses të jashtëzakonshëm, pasi që Kosova sot qëndron më së miri në Ballkan sa i përket menaxhimit të pandemisë”.

“Një qeveri paraprake në kohën kur të gjitha qeveritë e Ballkanit Perëndimor patën siguruar vaksinën, nuk po arrinte të bënte të njëjtën gjë. Më menaxhim të pandemisë po qëndrojmë më mirë edhe në krahasim me rajonin edhe me qeverinë paraprake.”

“Ndërsa sa i përket prioritetit tjetër, nuk e di si qëndron Ministria e Financave. Puna e saj nuk reflekton këtë shifër, për shembull Ministria e Financave, Punëve dhe Transfereve, brenda 100 ditëve të parë, ka hartuar dhe ka sjellë në qeveri pakon e ringjalljes ekonomike me vlerë prej 420 milionë euro, e me ndikim në ekonomi me vlerë prej 1.1 miliard eurosh, e dyta nga ai moment kjo ministri ka operacionalizuar 23 nga 26 masat e parapara nga kjo pako”.

“Ka operacionalizuar 88% të pakos së ringjalljes ekonomike, e cila është esenciale edhe për ekonomi, por në anën tjetër për nga vëmendja dhe resurset që ajo merr nga Ministria e Financave, kjo ministri ka arritur të zbatojë një prej premtimeve zgjedhore, mbështetja për nënat lehona dhe mbështetja për shtesat për fëmijë”, tha Kryeziu.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore