Lajme

Vetëvendosje kritikat e opozitës i quan “pështyma para kamerave”


Kritikat e opozitarëve ndaj Qeverisë së Kosovës nuk janë asgjë tjetër përveçse “pështyma para kamerës” thuhet në një status të publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Facebook.

Duke ilustruar disa kritika edhe me video, kryesisht për vaksinat, nga deputetë si Bekim Haxhiu i Partisë Demokratike të Kosovës, Besnik Tahiri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Ardian Shala i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vetëvendosje nxjerr përfundimin se qeveria ia doli dhe opozita dështoi.

Ata “vazhduan duke pështyrë para kamerave se nuk do të mund t’i vaksinoni kurrë 60% të popullsisë”, thuhet në status.

Më pas janë dhënë disa deklarime të Haxhiut, Tahirit e Shalës ku kritikonin Qeverinë e Albin Kurtit për moskompetencë në kohën kur, ndryshe nga vendet e rajonit, Kosova s’kishte arritur të blinte asnjë vaksinë.

“Dështuan të negociojnë për sigurimin e vaksinave. Nuk e bënë asnjë kontratë për sigurimin e tyre. Bënë trysni që ne t’i sigurojmë ato. Kur i blemë 2 milionë doza, thanë këto janë ‘vitra’. Thanë janë vaksina me afat të skaduar. Nuk u hetuan për të bëmat e mosbëmat e tyre, trillimet”, thuhet në shkrimin përcjellës të videos, si përmbledhje e kritikave ndaj qeverisë.

Më pas, shkrimi vazhdon, me shifrat për suksesin në vaksinim.

“Me 12 dhjetor 2021 u arrit vaksinimi i 60% të popullsisë së vaksinueshme. Ndërkaq këtë muaj, kur janë bërë 1 vit nga vaksina e parë në Kosovë, janë administruar 1,820,000 vaksina”.

Kritikat e tre deputetëve në video të shpërndarë nga Vetëvendosje janë të bëra kohë më parë dhe aktualisht nuk ekziston asnjë debat rreth vaksinave dhe as nuk ka ndonjë kontestim të suksesit të Qeverisë në vaksinim.

Prandaj, nuk dihet përse Lëvizja Vetëvendosje ka dalur me videon e përgatitur kundër opozitarëve pikërisht në këtë kohë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore