Lajme

Vërshimet nga shiu, Mehaj: FSK-ja në dispozicion


Pas reshjeve të mëdha të shiut që shkaktuan vërshime në disa qytete, ministri i Mbrojtës, Armend Mehaj, ka njoftuar se ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë të gatshëm të ndërhyjnë në secilin situatë emergjente.

“FSK si çdoherë, në secilën situatë emergjente, është e gatshme plotësisht, me të gjitha kapacitetet e saj në dispozicion, që të realizoj detyrën ligjore të mbështetjes ushtarake të autoriteteve civile dhe qytetarëve tanë pa dallim”, shkroi Mehaj në Facebook.

Ai ka shtuar se janë duke e monitoruar pandërprerë situatën në terren.

Reshje të mëdha të shiut, raportohet për vërshime në disa qytete të Kosovës

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se reshjet e shiut të cilat kanë filluar nga 18 nëntori, pritet që të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, të cilat do të shtohen gjatë pasdites deri të hënën 21 nëntorit.

“Më të theksuara do të jenë nëpër disa pjesë të Kosovës, sidomos në Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë, Istog, Klinë, Malishevë, Rahovec, pastaj pjesa Veriore, qendrore, jugore edhe ajo lindore e vendit”, thuhet në njoftim.

Sipas IHK-së, këto reshje mund të krijojnë kushte për vërshime të shpejta, të cilët mund të shkaktojnë vështirësi dhe probleme, sidomos tek rrjedhat lumore me karakter malorë në formë të rrëkeve të shpejta, duke shkaktuar rrëshqitje të dheut, mbyllje të sistemit të kanalizimeve dhe vështirësi në qarkullim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore