Shqipëria

“Veprim i njëanshëm”, thonë nga Qeveria e Kosovës për anulimin e mbledhjes së dy qeverive


Perparim Kryeziu

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se anulimi i mbledhjes së qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë – të cilën e njoftoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për media – “është veprim i njëanshëm”.

Kryeziu deklaroi se “mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të madhe organizative, të cilave u paraprinë një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë”.

“Nesër do të duhej të nënshkrueshin13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj. Janë qytetarët ata që do humbasin më së shumti”, potencoi ai për mediat në Prishtinë.

Ndërkaq, Kryeziu theksoi se “për fat të keq, anulimi i mbledhjes nga ana e kryeministrit Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkruar ato”.

“Takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër. Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës”, pohoi ai, duke shtuar se “është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme”.

Ndryshe, në një konferencë të paralajmëruar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë me dije se në kushtet e agravimit të situatës së Kosovës me Bashkinë Euroatlantike mbledhja e Qeverive nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar.

Sipas Ramës, pas një bisede me përfaqësuesin e lartë Evropian, Josep Borrell, i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për t’u takuar në një format më të ngushtë me ministrat e Jashtëm për të folur mbi këtë situatë.

Por se kryeministri Kurti e ka refuzuar duke theksuar se “duhet të mbahet mbledhja siç ishte planifikuar”.

“Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e Kurtit, shpresoj të ndryshojë”, tha Rama, i cili shtoi se, Kosova po shkon drejt sanksioneve.

Për Ramën takimi nuk është i mundur, pasi nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh me realitetin e Kosovës sot.

Numri një i Qeverisë shqiptare njoftoi madje se i ka kërkuar kohë “autoriteteve perëndimore” që të mos shkojnë drejt sanksioneve për Qeverinë e Kosovës.

Por se Kosova me këtë kurs është në prag “të humnerës”.

Ai paralajmëroi se është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën që do të vihet në lëvizje, referuar sanksioneve nga Bashkësia Euroatlantike.

“Jemi në prag të vënies në lëvizje të planit, se nuk ma zë as goja të flas për sanksione, por të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore