Lajme

Vendos Gjykata në Mal të Zi: Shëtitorja në Kotorr s’i takon Kosovës


Gjykata Themelore në Kotorr të Malit të Zi ka refuzuar padinë e Republikës së Kosovës, e cila përfaqësohej nga Ministria e Drejtësisë që kërkonte njohjen e së drejtës së pronësisë së ish-shëtitores Rafailloviç në Budva të Malit të Zi.

“Rrezohet padia për këtë çështje juridike”, thuhet në vendimin e gjykatës, raporton mediumi malazez Vijesti.

Kosova paditi kompaninë “Sunraf beach properties”, si dhe komunën e Budvës dhe shtetin e Malit të Zi, duke pretenduar se është pronare e një lokacioni atraktiv prej 4,500 metra katrorë tokë në shëtitoren e Budvës.

“Nga raporti i padisë rezulton se Republika e Kosovës ka ngritur padinë e saj për përcaktimin e të drejtave pronësore mbi tokën në të cilën është ndërtuar shëtitores ‘Ganimete Terbeshi’ në vitin 1967”, thuhej në padi.

Sipas Prokurorisë, Kosova është pronare e pronës së përmendur dhe si provë ka bashkangjitur një kontratë shitblerjeje të lidhur më 22 mars 1961 në Gjykatën e atëhershme të Qarkut në Kotorr, kur trualli prej 4555 metra katrorë është blerë nga Këshilli për Politikë dhe Çështjet Sociale të ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.

Në përgjigjen e saj ndaj padisë, kompania “Sunraf beach properties” theksoi se padia është e pabazuar sepse pasurinë e paluajtshme e ka fituar në bazë të një kontrate shitblerjeje të noterizuar nga shitësi i falimentuar “Nivel invest” Sh.P.B. Budva, vlefshmëria e së cilës garantohej nga shteti i Malit të Zi, pra Gjykata Ekonomike e cila zhvillonte procedurat e falimentimit.

“Kontratat e lidhura në procedurat e falimentimit nuk mund të jenë objekt i asnjë anulimi, por pasojat eventuale bien mbi shtetin. Republika e Kosovës nuk e ka regjistruar kërkesën e saj në procedurën e falimentimit, duke e humbur përfundimisht të drejtën e saj”, thuhet në përgjigjen e padisë nga kjo kompani”, thuhet në aktgjykim.

Ndërsa komuna e Budvës, e përfaqësuar nga Sekretariati për Mbrojtjen e Pronës, e kontestoi kërkesën në tërësi, duke gjykuar se kërkesa është qartësisht e pabazuar juridikisht dhe faktikisht dhe paraqet një lloj eksperimenti juridik.

Gjykata e Kotorrit refuzoi kërkesat e Kosovës për dhënien e masës së përkohshme, e cila kërkonte t’i ndalonte ndërmarrjes “Sunruf beach properties”, komunës së Budvës dhe Shtetit të Malit të Zi të ndërmarrin çfarëdo veprimi me qëllim të transformimit të patundshmërive, hipotekimit, shitjes apo dhënies me qira.

Sipas të dhënave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Kosova ka mbi 30 objekte pronësore në Mal të Zi, pronari i të cilave është ndërruar ilegalisht.

Po ashtu sipas AKP-së, Kosova posedon 163 objekte pronësore, përkatësisht ndërmarrje shoqërore në vendet e ish-Jugosllavisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore