Lajme

Vendet e pasura po ‘fusin në kurth’ kombet e varfra që të mbështeten te lëndët djegëse fosile


Vendet më të pasura dhe huadhënësit privatë janë duke i futur në kurth vendet me borxhe të mëdha në varësinë nga karburantet fosile.

Presioni për të shlyer borxhet po i detyron vendet e varfra të vazhdojnë të investojnë në projektet e karburanteve fosile për të bërë shlyerjet e tyre në ato që janë zakonisht kredi nga vendet më të pasura dhe institucionet financiare.

Kështu rezulton sipas analizave të reja nga aktivistët kundër borxhit të Debt Justice dhe partnerët në vendet e prekura.

Grupi po bën thirrje që kreditorët të anulojnë të gjitha borxhet për vendet që përballen me krizë – dhe veçanërisht ato që lidhen me projektet e karburanteve fosile.

“Nivelet e larta të borxhit janë një pengesë e madhe për heqjen graduale të karburanteve fosile për shumë vende të jugut global”, ka thënë Tess Woolfenden, një oficere e lartë e politikave në Debt Justice.

“Shumë vende janë të bllokuara duke shfrytëzuar lëndët djegëse fosile për të gjeneruar të ardhura për të shlyer borxhin, ndërsa, në të njëjtën kohë, projektet e karburanteve fosile shpesh nuk gjenerojnë të ardhurat e pritura dhe mund t’i lënë vendet më me borxhe sesa kur filluan”.

Sipas saj, ky kurth toksik duhet të marrë fund.

Referuar raportit, borxhi i vendeve të jugut global është rritur me 150% që nga viti 2011 dhe 54 vende janë në krizë borxhi, duke u detyruar të shpenzojnë pesë herë më shumë për shlyerjet sesa për trajtimin e krizës klimatike.

Daniel Ribeiro, një koordinator programi për fushatën mjedisore të Mozambikut Justiça Ambiental, tha se barra e borxhit të vendit ishte dyfishuar nga huatë e marra pa lejen e parlamentit nga bankat me bazë në Londër në vitin 2013, bazuar në parashikimet e fitimeve nga zbulimet e saj në fushën e gazit.

Mozambiku u zhyt në një krizë borxhi kur çmimet e naftës dhe gazit ranë në periudhën kohore 2014-2016, por zgjidhjet nga huadhënësit ndërkombëtarë për të shpëtuar vendin janë mbështetur në kreditë që paguhen përmes të ardhurave të ardhshme të gazit.

Surinami u përball me një situatë të ngjashme pas dështimit të borxhit të tij, kur në vitin 2020 ra dakord për një marrëveshje që do t’u jepte kreditorëve të drejtën për pothuajse 30% të të ardhurave nga nafta deri në vitin 2050.

Raporti ka nxjerrë gjithashtu se shumë vende të prekura nga klima kishin nevojë për më shumë akses në grante për të paguar efektet e ndryshimit të klimës.

Kjo pasi shumë prej tyre detyrohen të hyjnë më tej në borxhe për të paguar riparimet pas cikloneve dhe përmbytjeve.

Pjesa më e madhe e ndihmës financiare prej 10 miliardë dollarësh e ofruar për Pakistanin pas përmbytjeve të vitit të kaluar ishte në formën e kredive.

Kurse pjesa e borxhit të Dominikës në produktin e saj të brendshëm bruto (PBB) u rrit nga 68% në 78% pas uraganit Maria në vitin 2017.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore