Lajme

Vendet e Amazonës krijojnë aleancë kundër shpyllëzimit


Vendet e Amerikës së Jugut të Amazonës vendosën të martën e 8 gushtit të krijojnë një aleancë për të luftuar shpyllëzimin, në një deklaratë të përbashkët të publikuar gjatë një samiti të organizuar në qytetin brazilian të Belem-it (në veri).

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Kjo aleancë “synon të promovojë bashkëpunimin rajonal në luftën kundër shpyllëzimit, për të parandaluar që Amazona të arrijë pikën pa kthim”, mund të lexohet në këtë deklaratë të nënshkruar nga Brazili, Bolivia, Kolumbia, Ekuadori, Guajana, Peruja, Surinami dhe Venezuela.

Këto janë tetë vendet anëtare të Organizatës së Traktatit të Bashkëpunimit të Amazonës (OTCA), e krijuar në vitin 1995 me qëllim të ruajtjes së këtij rajoni të gjerë që është shtëpia e rreth 10 për qind të biodiversitetit në botë.

Nëse do të arrihej kjo pikë pa kthim, Amazona do të lëshonte më shumë karbon sesa thithte, gjë që do të përkeqësonte ngrohjen globale.

Por ndryshe nga pritshmëritë e organizatave mjedisore, kjo deklaratë e përbashkët nuk paraqet ndonjë qëllim të përbashkët për të zhdukur plotësisht shpyllëzimin, siç ka premtuar Brazili të bëjë deri në vitin 2030.

Samiti u hap në ditën kur shërbimi evropian Copernicus konfirmoi se korriku ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në tokë.

“Nuk ka qenë kurrë më urgjente të rifillojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin tonë”, tha presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva në fjalën e tij të hapjes, duke iu referuar një “ëndrre të re Amazoniane”.

Nga ana e tij homologu i tij kolumbian Gustavo Petro bëri thirrje që fjalimet të përkthehen në veprime konkrete sa më shpejt të jetë e mundur.

“Nëse jemi në prag të zhdukjes, nëse kjo është dekada për të marrë vendime, çfarë po bëjmë veçse flasim?”, pikënisi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore