Kosova

Vela: Qytetarët e Kosovës s’po lejohen t’i vizitojnë familjarët e tyre në burgjet e Serbisë


Blerim Vela

Blerim Vela, shefi i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një cicërime në rrjetin social “Twitter”, tha se autoritetet serbe po ua mohojnë në vazhdimësi qasjen qytetarëve të Kosovës, familjarët e të cilëve gjenden në qendrat e paraburgimin në Serbi.

“Institucionet e Serbisë po ua mohojnë në mënyrë sistematike qasjen familjarëve të qytetarëve të Kosovës që aktualisht gjenden në burgjet e Serbisë me pretekstin se ata nuk i njohin dokumentet e Kosovës”, tha Vela, ndërsa shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po i shkelë marrëveshjet.

Marrëveshje e Ohrit, sikurse edhe ajo e Brukselit, kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore. Megjithatë, siç theksoi Vela, të drejtat themelore të njeriut po shkelen nga regjimi serb.

Ndryshe, Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula mbahen në Serbi mbi pretendimet për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullatës civile në Kosovë gjatë luftës së fundit në vitin 1999, ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që akuzat ndaj tyre të trajtohen nga organet kosovare.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Drejtësisë në të kaluarën kanë kërkuar nga institucionet Bashkimit Evropian që të bëjnë presion ndaj institucioneve serbe që të lirohet Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula.

Nezir Mehmetaj është i akuzuar për pjesëmarrje në krime lufte kundër civilëve në fshatin Rudicë në komunën e Klinës në qershor dhe korrik 1999. Ai akuzohet nga Serbia për përfshirje në vrasjen e shtatë personave dhe djegien dhe plaçkitjen e shtëpive në Rudicë si anëtar i UÇK-së.

Petrit Dula është dënuar me dy vjet burg nga Gjykata e Lartë në Beograd për pjesëmarrje në rrahjen e një civili në Kosovë në vitin 1999. Ai në nëntor të vitit të kaluar u shpall fajtor për kryerjen e pretenduar të një krimi lufte, sulm ndaj një civili në një fshat afër qytetit të Gjakovës në Kosovë në qershor 1999

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore