Kosova

Vdes Madeleine Albright


Madeleine Albright

Madeleine Albright, gruaja e parë sekretare e shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka vdekur në moshën 84 vjeçare.

Vdekja e saj u konfirmua përmes një deklarate zyrtare nga familjarët e Albright ku mes tjerash thuhet se shkaku i vdekjes ishte kanceri.

Albright ishte një figurë qendrore në administratën e Presidentit Bill Clinton.

Ajo së pari shërbeu si ambasadore e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara përpara se të bëhej diplomate e lartë e vendit në mandatin e saj të dytë.

Albright, nxiti që NATO të ndërhynte në Kosovë për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik, e shkaktuar nga regjimi i Millosheviç-it

Ajo e shihte SHBA-në si “kombin e domosdoshëm” kur ishte fjala për përdorimin e diplomacisë të mbështetur nga përdorimi i forcës për të mbrojtur vlerat demokratike në mbarë botën.

“Ne qëndrojmë shtatlartë dhe shohim më larg se vendet e tjera në të ardhmen, dhe ne shohim rrezikun këtu për të gjithë ne,” tha ajo për NBC në 1998. “Unë e di se burrat dhe gratë amerikane me uniformë janë gjithmonë të përgatitur të sakrifikojnë për lirinë, demokracinë dhe mënyrën amerikane të jetesës”.

Albright, ishte e njohur për rolin e saj kyç në negociatat në Rambuje mes palës shqiptare dhe asaj serbs, që i paraprin fushatës së bombardimeve të NATO-s në Serbi.

Albright në vizitën e saj të fundit në Kosovë, në manifestimin qendror për nder të 20 vjetorit të hyrjes së këmbësorisë së NATO-s në Kosovë më 12 Qershor 1999, kishte deklaruar se vendimi për të ndërhyrë në Kosovë “ishte i drejtë”.

Gjatë fjalimit në Prishtinë më 12 qershor të vitit 2019, Albright deklaroi se fitorja erdhi për shkak të kauzës së drejtë dhe për shkak të popullit të Kosovës.

“Nuk ishte vendim i lehtë siç mund ta imagjinoni dhe për këtë kemi pasur shumë diskutime dhe presidenti Clinton donte të bindej se Kosova ishte e sigurt. Dhe në një mbrëmje kur filluan bombardimet ai më telefonoi në mesnatë dhe më tha ‘Madeline, avionët u kthyen, ne po bëjmë punën e duhur ne po bëjmë gjënë e duhur’ dhe unë i thash ‘po, zotëri president ne po bëjmë gjënë e duhur’”, kishte kujtuar Albright.

Për kontributin e saj për pavarësinë e Kosovës, më 2019, u zbulua në Prishtinë edhe busti për nderë të saj.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, gjatë një fjalimi në Prishtinë, në 20-vjetorin e disklokimit të trupave të NATO-s në Kosovë

Albright, kishte vizituar Kosovën edhe në korrik të vitit 2005, ku kishte mbajtur edhe një fjalim në Kuvendin e Kosovës, tri vjet para pavarësisë së Kosovës.

“Miqtë tuaj besojnë se ju do të jeni të suksesshëm dhe do të shohim këtu, në Kosovë, formimin e një shoqërie i cili respekton të drejtat e të gjithëve dhe i cili ka fituar respektin e popujve dhe qeverive në çdo skutë të botës”, kishte potencuar ajo.

“Ju falënderoj edhe një herë për mikpritjen dhe vëmendjen tuaj. Dhashtë zoti që Kosova të prosperojë dhe të jetojë përgjithmonë në liri dhe paqe”.

Zbulimi i shtatores së Madeleine Albright në Prishtinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore