Lajme

Vdes Dick Marty – njeriu që fabrikoi raportin kundër UÇK-së


Dick Marty

Ish-senatori zviceran dhe raportuesi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), Dick Marty, ndërroi jetë në moshën 78-vjeçare, raportoi media zvicerane “Swiss Info” të enjten, derisa bëhet e ditur se trupi i pajetë i hartuesit të raportit kontravers për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është gjetur në shtëpinë e tij në Ticino të Zvicrës.

Në vitin 2010, ai hartoi një raport mbi trafikun e pretenduar të organeve gjatë luftës së fundit në Kosovë (1998-1999), i cili implikonte pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, mbi bazën e të cilit janë themeluar edhe Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës, ku hetohen krimet e pretenduara të luftës dhe krimet kundër njerëzimit.

APKE në vitin 2011 miratoi një rezolutë kontraverse bazuar në raportin e senatorit të atëhershëm zviceran, pas inciativës së rusit, Konstantin Kosachev, ku përveç akuzave të tjera, ish-krerët e UÇK-së ishin akuzuar për trafik të organeve të qenieve njerëzore. Por, nisja e gjyqit në prill të këtij viti në Hagë, konfirmoi dështimin fatal të pretendimeve të Martyt.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalimin e tij para trupit gjykues në ditën e dytë të procesit gjyqësor, deklaroi se ka qenë raporti i Martyt ai që e detyroi Kosovën të dëgjonte kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare për të themeluar një Gjykatë Speciale për krime të pretenduara lufte – institucion që deputetët kosovarë e themeluan në gusht të vitit 2015.

Pretendimet për trafik të organeve të qenieve njerëzore në të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Shqipëri janë hetuar edhe nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014, kishte bërë të ditur se pas hetimeve nuk kishte gjetur asnjë dëshmi të bazuar për trafikun e pretenduar të organeve të qenieve njerëzore, por për krime të tjera lufte.

Marty u kthye në qendër të vëmendjes në vitin 2022 kur mediat zvicerane raportuan se ish-senatori zviceran pranoi kërcënime nga radikalët e shërbimit inteligjent serb (BIA) dhe mbrohej nga policia e shtetit zviceran, ndërsa dyshohej se plani ka qenë që ai të likuidohej nga vrasës profesionistë të angazhuar nga shteti serb për t’ia ngarkuar përgjegjësinë shqiptarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore