Lajme

Vdes 28-vjeçari në Prishtinë, bie nga lartësia


Ilustrim.

Një 28 vjeçar nga Prishtina ka humbur jetën të hënën për shkak se dyshohet se ka rënë nga lartësia dhe ka pësuar lëndime të rënda.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot në stacionin policor Jugu, në Prishtinë, është iniciuar një rast hetim mbi vdekje. Rasti ka ndodhë në rrugën “Holger Pedersen” në Prishtinë, ku viktima mashkull, 28 vjeç, dyshohet se ka rënë nga një lartësi dhe ka pësuar lëndime”.

Policia e Kosovës.

Ahmeti, ka bërë të ditur se viktima ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Viktima mashkull, nuk ka arritë të përballojë plagët dhe i njëjti në QKUK, ka ndërruar jetë”, tha Ahmeti.

Ajo tutje ka thënë se rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente.

“Rasti po hetohet nga njësitet kompetente në koordinim me prokurorinë dhe Inspektoratin e Punës”.

Rreth këtij rasti ka reaguar edhe nënkryetarja e Komunës së Prishtinës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Donjeta Sahatçiu, ajo i ka shprehur ngushëllime familjes.

“Ngushëllimet më të sinqerta për familjen. Edhe një tjetër viktimë e mungesës së sigurisë në punë. 7/13 punëtorë të vdekur në vendin e punës në 2021 ishin burra të sektorit të ndërtimtarisë. Deri kur?”.

Shkrimi nga nënkryetarja e Komunës së Prishtinës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Donjeta Sahatçiu.

Ndërkaq ka kërkuar që të rritet numri i inspektorëve në terren.

“Komunat, e sidomos Kryeqyteti, kanë nevojë urgjente për numër më të madh të inspektorëve nga Inspektoriati i Punës. Siguria dhe shëndeti në punë janë qenësore edhe për besimin e gjeneratave të reja se mund të punësohen këtu pa e lëshuar vendin për mundësi më të mire”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore