Shqipëria

Vdekja e faqes së socialistëve (PS)


Pjesë e asaj çfarë ka ndryshuar në politikë janë mediat sociale dhe mënyra se si njerëzit e marrin informacionin, do të thoshte në vitin 2016 ish-presidenti amerikan, Barack Obama, teksa shkonte drejt përmbylljes së mandatit të tij të dytë dhe të fundit në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Ai vetë, i tregoi politikës se ku do të shkohej në këtë aspekt.

Por, a e imagjinoni dot një shkretëtirë të mbushur me kaktuse, të cilët vetëm marrin bulëza uji ku të munden dhe në këmbim japin le të themi…asgjë?

Kjo është sot Partia Socialiste!

Mjafton fare thjeshtë të shohësh faqen në rrjet dhe mediat sociale të forcës së majtë politike, ku në sy bie faqja në median sociale Instagram, e cila është në nivele mediokre, me diçka më shumë se 2 mijë e 200 ndjekës.

Edhe publikimet madje, në atë çfarë duhet të ishte media sociale më e rëndësishme për një organizatë të tillë politikë, duke qenë se është edhe më e përdorura, kryesisht lidhen me ato të bëra nga vetë kryeministri, Edi Rama dhe jo me përmbajtje që lidhen drejtpërdrejt me PS-në.

Angazhimi në vetë postimet? I papërfillshëm dhe i krahasueshëm me adoleshentët e zakonshëm që gjenden në rrjet.

Postimi i fundit i gjendur aty, ku vetë Rama flet përballë gazetarëve, ka vetëm 76 pëlqime dhe asnjë koment nga ndjekësit. Postimet e fundit, të lidhura me Samitin e zhvilluar në Tiranë mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, kanë marrë nga 40-50 pëlqime dhe asgjë më shumë.

Njëjtë është situata me të gjitha postimet që prej nëntorit, ku mesatarisht, ato marrin nga 40 pëlqime dhe asnjë ndërveprim tjetër, përpos faktit që shpalosin thjesht punë të Qeverisë dhe asgjë përmbajtësore për vetë Partinë Socialiste.

Nëse një person nga ana tjetër kërkon faqen zyrtare të partisë, ballina është në mos qesharake, shumë pranë këtij përcaktimi.

Rubrika “ Të reja” përditësohet në variantin më të mirë një herë në javë dhe kjo, kryesisht, vetëm me dalje publike që kryeministri Rama ka.

Është edhe një stonim tërësor faktikisht që kreu i partisë vetë, publikimet që gjithë forca politike që ai drejton bën për një muaj, i publikon për më pak se 24 orë në mediat e tija sociale.

Në harkun kohor të një muaji, faqja zyrtare e socialistëve ka si për çudi vetëm pesë lajme të publikuara, të gjitha pjesë e aktivitetit të kreut të Qeverisë.

Forca më e madhe politike në vend, për një të huaj, i cili nuk përdor media sociale, është në mos e vdekur, në gjendje kome.

Duke mënjanuar Instagram-in, Partia Socialiste e ka përkundër një faqe zyrtare në Facebook, ku paraqitet me një numër të konsiderueshëm ndjekësish – mbi 200 mijë.

Por, sërish, të gjitha publikimet lidhen vetëm me angazhimin politik të Ramës vetë, apo të ndonjë ministri (me hope).

Volumi më i madh i publikimeve vjen kur ka seanca plenare në Kuvend, në çastet kur deputetë socialistë e ministra marrin fjalën.

Por, angazhimi, sërish, përveçse në raste shumë të rralla, është tmerrësisht shumë i pakët, me mesatarisht 50 deri në 100 persona për postim.

Thënë konkretisht, as 0.0005% e ndjekësve ndërveprojnë me PS-në virtualisht. Të tjerët, jo.

Fjala bie, po e njëjta fjalë e kryeministrit Rama, e publikuar në Facebook dy ditë më parë në faqen e Partisë Socialiste, ka marrë 179 pëlqime, 55 komente dhe nëntë shpërndarje.

Krahasuar me të njëjtën video, të publikuar në faqen zyrtare të Ramës në Facebook, angazhimi është eksponencialisht më i lartë, pasi shkon në 8 mijë e 400 pëlqime, 1 mijë e 500 komente dhe 725 shpërndarje.

I çuditshëm mbetet edhe fakti se si në të njëjtën faqe të PS-së në Facebook, një fjalim nga Kuvendi i ministres Spiropali, arrin të kapë 1 mijë e 800 pëlqime dhe 681 komente.

Teksa, fjala e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, vetëm 62 pëlqime e 17 komente.

Sa për deputetët, me fat janë ata, të cilët arrijnë maksimalisht në 50 pëlqime për fjalimet e tyre në Parlament.

Për kanalin zyrtar në YouTube, është më mirë të mos flitet, pasi ende mbart sloganin e vjetërsuar të “Rilindjes” dhe videoja e fundit e hedhur, daton që përpara tetë vjetësh, kur Rama mjekrën ende e kishte të zezë, e fytyrën të paplakur. Absurde!

Në kurriz të kujt është fakti i tillë? Të vetë PS-së, faqet e së cilës janë të vdekura praktikisht dhe zëvendësimin e kanë bërë duke “fjetur mendjen”, për shkak të “hiperaktivitetit” që kryeministri Rama vetë ka në media sociale.

Veçse, Rama, përtej të qenit kryetar i socialistëve, është edhe Kryeministër i Shqipërisë  dhe si i tillë, aktivitetin e tij nuk e bazon në shumicën e kohës tek çështjet organizative apo operacionale të vetë partisë, por tek i Qeverisë.

Skemën e tillë, kanë filluar ta ndjekin edhe ministrat e kabinetit, por pa arritur ndonjë sukses të veçantë.

Ndër më prolifiket në këtë aspekt është ministrja e shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, jo vetëm për nga numri i ndjekësve, por edhe për nga angazhimi.

Fjala bie, në Facebook, ajo numëron mbi 119 mijë ndjekës dhe aktivitetin në faqen e saj e ka tejet të ngjeshur jo thjesht me takime për detyrën si ministre që mbart, por edhe në ato me strukturat socialiste apo takimet që zhvillon me qytetarët.

Edhe më shumë këta të fundit, i pasqyron në median e saj sociale Instagram, ku numëron mbi 35 mijë ndjekës dhe është tejet aktive.

Në 15 ditët e fundit fjala bie, Spiropali ka të publikuara në Instagram 30 postime, me aktivitete të ndryshme.

Mundohen edhe ministra të tjerë ta arrijnë këtë shembull, por pa mundur posaçërisht të korrin ndonjë sukses.

Konkretisht, zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku, numrin e ndjekësve në Instagram e ka të ngjashëm me Spiropalin, por jo angazhimin.

Përtej faktit se ajo ka numër të ngjashëm publikimesh në 15 ditët e fundit, ato lidhen ekskluzivisht me punën e saj si ministre dhe jo me ngjarje të tjera, të lidhura me PS-në.

Në Facebook ndërkohë, angazhimin e ka shumë më të ulët se Spiropali, me 33 mijë ndjekës dhe pak ndërveprime me publikun.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, numrin e ndjekësve në Instagram e ka relativisht të kënaqshëm, me 26 mijë, por publikimet në 15 ditët e fundit, janë vetëm pesë, duke treguar se nuk ka larmishmëri ndërveprimi.

Në Facebook, ajo ka 93 mijë ndjekës, por sërish, ata nuk referojnë angazhimin real që ajo ka në faqe, me pak ndërveprime.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka 53 mijë ndjekës në Facebook, me angazhime shumë të pakta. Në Instagram, është thuajse inekzistent, me vetëm dy publikime në muajin e fundit dhe me 7 mijë ndjekës në tërësi.

Ulsi Manja, si ministër i Drejtësisë, ka vetëm 6 mijë e 400 ndjekës në Instagram me pak angazhim e ndërveprim me publikun.

Në Facebook, ka 13 mijë ndjekës dhe angazhim, sërish, shumë të pakët.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në Facebook numëron 6 mijë e 200 ndjekës me aktivitet të pakët dhe në Instagram, 2 mijë e 300 syresh, me po pak aktivitet.

Teksa, ministra të tjerë, ashtu sikundër në aktivitetin e përditshëm, janë thuajse jo ekzistentë edhe në media sociale.

Thënë kjo, nuk është thjesht një çështje e të promovuarit të punës së tyre, por edhe e faktit se me aktivitetin e shfaqur, të lidhur ngushtësisht me postin drejtues që mbajnë, ministrat, përpos figurës së tyre, nuk promovojnë në rrjet asnjë vlerë që mbart forca politike ku aderojnë.

Po ashtu, çështjet politike të lidhura me PS-në, shumë pak dalin në dritë përmes mediave sociale dhe vetë një shikues i jashtëm, as që e kupton se si mund të përfaqësohet në linja të gjera, të programit socialist, nga këta aktorë politikë.

Diçka e tillë, sipas burimeve të Albanian Post, ka sjellë edhe pakënaqësi të mëdha lidhur me figurën e ministrave, të cilët fshihen nën ombrellën e madhe të Ramës, ashtu sikundër edhe vetë PS-ja, që më së shumti gjendet në profilet zyrtare të Ramës, se sa në të vetë PS-së.

Nëse çështja, qëndron konkretisht tek vetë Rama, po PS-ja, ku bie?

Pa ide, pa një qëndrim të qartë të shfaqur, faqja e PS-së, është e vdekur.

Kapitulli, në mbyllje e sipër…nëse kështu vijohet!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore