Shqipëria

Vdekja e 3-vjeçarit nga anestezia – Grupi i mjekëve italianë do të kryejë ekspertizën


Një grup mjekësh italianë do të kryejë një akt-ekspertizë mjekoligjore, për të përcaktuar saktësisht shkakun e vdekjes së 3-vjeçarit Brian Spahiu, i cili sipas ekspertizës shqiptare, ka rezultuar se ka humbur jetën pas një mbidoze të anestezisë.

Kjo, pasi i mituri kreu një ndërhyrje në një klinikë dentare dhe mjeku Roland Xhaxho i administroi anestezinë për rastin.

Arsyeja pse akt-ekspertiza do të bëhet nga mjekët italianë, vjen për faktin se sipas Prokurorisë së Tiranës, akti i parë i ekspertizës që u publikua nëntorin e kaluar ishte i paplotë dhe konkluzioni i pasaktë.

Çfarë thoshte ekspertiza e 11 nëntorit?

3-vjeçari, Brian Spahiu, i cili vdiq pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për dhëmbët në klinikën e mjekut, Roland Xhaxho, ka humbur jetën pasi anestezia i ka sjellë insuficiencë multiorganore.

Kështu thotë ekspertiza mjeko-ligjore.

Sipas ekspertizës shenjat e shpimeve mjekësore të vërejtura në trupin e Spahiut janë pasojë e manipulimeve mjekësore.

“Mbetja e vjetër e plagës e vërejtur në lëkuren e gjoksit është pasojë e ndërhyrjes kirurgjikale”, thuhet mes të tjerash në ekspertizë.

3-vjeçari ndërroi jetë pas një ndërhyrjeje dentare në klinikën e anestezistit Roland Xhaxho, ku variante kontradiktore erdhën nga palët mbi çfarë ndodhi.

Rreth kësaj, vetë Prokuroria ka kërkuar që të vëzhgojë pamjet filmike të marra nga kamerat e sigurisë në klinikë atë ditë.

Mirëpo, mjeku Xhaxho, ka deklaruar se prej 23 shtatorit, për shkak të disa punimeve, i ka hequr ato përkohësisht.

Pavarësisht kësaj, mësohet se Prokuroria ka arritur të sekuestrojë disa regjistrime të gjetura atje.

Në këtë mënyrë, do të mund të hidhet dritë edhe më tej mbi ngjarjen.

Çfarë ndodhi?

Në përmasa të tjera ka shkuar çështja e një fëmije 3-vjeçar, i cili ka ndërruar jetë pas një ndërhyrjeje në 14 dhëmbë, ku dyshohet se një dozë më e lartë narkoze e dhënë nga mjeku e ka lënë fillimisht në gjendje kome dhe më pas ka gjetur vdekjen.

Një ditë më parë, mjeku anestezist që ka pasur rastin përsipër, Roland Xhaxho, deklaroi se procedurat janë kryer në rregull dhe se fëmija e ka humbur jetën më pas, prej një infeksioni pas daljes nga klinika.

Por këtë gjë e mohon kategorikisht babai i të miturit, i cili ka thënë fillimisht se djalin e ka çuar për pastrim gurëzash tek mjeku, por ai përfundoi duke ndërhyrë në 14 dhëmbë.

Këtë, e bënte përmes anestezisë së përgjithshme.

Teksa shpjegoi se djali i tij kishte kryer para dy vitesh një operacion në zemër.

“Kam diskutuar dhe me doktorin. Kam marrë dhe një konsultë, një vërtetim nga kardio-pediatri, nga Albert Kroja, që ndiqte Brianin, që thoshte; Briani nuk vuan nga zemra, të bëhet ndërhyrja. Ia thashë doktorit për ndërhyrjen. Më tha nuk ka asnjë problem. Ia kisha dërguar dokumentin më parë”, shpjegoi babai.

Më tej, shpjegoi edhe situatën konkrete të rastit.

Sipas prindit, mjeku i kishte shpjeguar se ndërhyrja do të zgjaste për dy orë e gjysmë dhe se një orë kohë duhej për daljen nga anestezia.

Mirëpo, ai ka pritur duke pyetur vazhdimisht deri në orën 19:00, ku ka shpjeguar se i thuhej herë pas here se po i pastronin gurëzat të birit dhe kur ia kanë kthyer më pas sërish prindërve, ai nuk ka qenë i përmendur.

Mjeku kishte treguar se djali ka qenë duke qarë, por ai ka qenë i përgjumur në dalje nga klinika.

Më pas, djalit kishte filluar t’i hipte temperatura dhe me dhënien e mjekimit që vetë Xhaxho i kishte rekomanduar, nuk ishte arritur të ulej temperatura.

Më pas, ai e ka dërguar të birin në spital, ku është vendosur në reanimacion.

Djali, sipas prindit, nuk ka folur fare pas ndërhyrjes. Teksa, për mjekun, thotë se e ka ditur çfarë ka bërë, pasi ka ardhur të nesërmen në pediatri, për të pyetur rreth gjendjes së djalit.

Në spital, mjekët kanë thënë se fëmija ka qenë në gjendje të rënduar nga mëlçi, prej narkozës dhe se ata po i hiqnin narkozën.

Por, fatkeqësisht, ka qenë shumë vonë për t’i shpëtuar jetën djalit.

Mbi rastin, Prokuroria e Tiranës tashmë ka nisur një hetim dhe priten përfundimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore