Shqipëria

Vazhdon përhapja e zjarrit në Malin e Tomorrit


Zjarri në Malin e Tomorrit, 1 korrik 2021. Fotografi e marrë nga faqja në Facebook e ADZM, Berat

Zjarret në Malin e Tomorrit vazhdojnë, pavarësisht përpjekjeve të forcave zjarrfikëse dhe vullnetarëve në terren, njofton Administrata e Zonave të Mbrojtura për Qarkun e Beratit.

Për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta, zjarri ka arritur deri nё Parkun Kombёtar Tomorr, duke shkatërruar dhe njё pjesё tё faunёs nё zonё.

Përkundër kushteve të vështira, sipas AZM-së të Beratit, gjendja është përmirësuar dukshёm, teksa nё ndihmё kanё shkuar dhe “disa forca tё Mbrojtjes nga Zjarri (MNZ) të Bashkisë Poliçan”.

Ёshtё bёrё me dije se terrenit i thyer, shkёmbor, e ka pamundësuar ndёrhyrjen tokёsore tё zjarrfikёseve, duke lënë të vetmen mundësi ndërhyrjeje atë nga ajri me helikopterё.

Si ndodhi ngjarja?

Në mëngjesin e herët të së hënës së 28 qershorit, pjesa perëndimore e Parkut Kombëtar të Malit të Tomorrit u përflak nga zjarri.

Përpos ndodhisë, terreni tejet i vështirë e ngeci depërtimin në të përmes mjeteve tokësore. Në të tilla rrethana, zjarri përshkoi rrugën drejt majës së malit, me ndihmën e erës.

Ky ishte edhe përshkrimi i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), që u përgjigj pas interesimit të Albanian Post, për të mësuar më shumë rreth ngjarjes.

Zjarri ka rënë në zonën e sipërme të fshatit Lybeshë.

Dy persona janё arrestuar dhe tre po procedohen nё gjendje tё lirё si autorë të ngjarjes.

Këta shtetas kanë ndezur zjarr gjatë kohës që po mblidhnin bimë medicinale në Malin e Tomorit, sipas njoftimit tё Policisё.

Si pasojë e përhapjes së flakëve, mёngjesin e sё hёnёs u dogj një sipërfaqe prej 10 hektarёsh me pisha.

Teksa burimet zyrtare nga Reparti Zjarrfikës dhe ADZM konfirmuan ditën e enjte se flakët kishin përfshirë dhe 10 hektarë të tjerë të zonës me pisha.

Dy helikopterë me 24 hedhje uji në të dyja vatrat e zjarrit u vendosën në dispozicion ditën e sotme, të cilat po vijojnë ende punën.

Po ashtu, në ndihmë të zjarrfikësve kanë mbërritur edhe forcat e ushtrisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore