Kosova

Vazhdojnë gërmimet në Kizhevak të Serbisë


Në Kizhevak të Serbisë po vazhdojnë gërmimet, për gjetjen e trupave të personave të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Këto gërmime do të nisin nga ora 11:00, ku i pranishëm do të jetë edhe ekipi nga Kosova i përbërë nga katër persona, nga drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu, antropologu Valon Hyseni, eksperti ligjor Naim Uka si dhe Bedri Rexha fotograf mjekoligjor.

“Punimet në Kizhevak do të rifillojnë me pesë maj, në orën 11:00, me dekonzervimin e terenit”, e ka konfirmuar për Albanian Post, drejtori Gërxhaliu.

Këto gërmime po vazhdojnë të zhvillohen pas përfundimit të atyre në “Varrezat e myslimanëve në veri të Mitrovicës”, vend ky ku nuk është gjetur asnjë mbetje mortore.

Në Kosovë që nga paslufta janë gjurmuar qindra lokacione në kërkim të personave të zhdukur gjatë luftës.

“Vetëm gjatë vitit të kaluar kemi punuar në të paktën nëntë lokacione brenda territorit të Kosovës, krahas lokacionit në Kizhevak, Serbi”, pati theksuar për Albanian Post, Koordinatori i delegacionit të Kosovës, për persona të pagjetur, Ibrahim Makolli.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999 rezultuan rreth gjashtë mijë e 500 persona të zhdukur.

Që nga ajo kohë u kryen zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tani janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore