Lajme

Varhelyi të mërkurën raporton para eurodeputetëve për planin e ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor


Oliver Varheliy

Komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varheliy, do të raportojë të mërkurën para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (PE), mbi të ardhmen e politikës së zgjerimit të BE-së dhe planin e rritjes prej 6 miliardë eurosh të Komisionit Evropian (KE) për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Krahas Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Turqisë, për herë të parë, paketa investuese e KE-së do të përfshijë gjithashtu dy vende të reja kandidate për anëtarësim në BE – Ukrainën dhe Moldavinë. E komisioneri Varheliy do të prezantojë planin e ri të rritjes para ligjvënësve evropianë, të mërkurën në Bruksel.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – synojnë të anëtarësohen në BE dhe janë në faza të ndryshme të arritjes së këtij qëllimi, ndërsa plani i rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor përfshin investime prej 6 miliardë eurosh dhe akses në tregun e brendshëm evropian në fusha të caktuara.

Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, në fund të tetorit ka qëndruar për vizitë në Kosovë, në kuadër të një udhëtimi katërditor në rajon, gjatë së cilës ka qëndruar edhe në Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi, për të diskutuar për bashkëpunimin dypalësh me liderët rajonalë dhe reformat në procesin e integrimeve evropiane.

Në shoqërinë e drejtorit të Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të KE-së, Gert Jan Koopman, presidentja Leyen ka prezantuar detaje për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor në procesin e zgjerimit të BE-së, derisa ka folur edhe për hapat dhe planet për përparim të shpejtë të rajonit drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Vizita e presidentes së KE-së ka ardhur pas takimeve me liderët rajonalë në Shqipëri në fillim të këtij muaji në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili për herë të parë është mbajtur jashtë kufijve të BE-së, duke përcjellur një mesazh të fuqishëm për zgjerimin e unionit evropian, pas stagnimit dhe sfidave në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore