Kosova

Varhelyi dënon vrasjen e policit kosovar në veri: Dhuna duhet të ndalet menjëherë


Oliver Varhelyi

Komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore – ku për pasojë ka mbetur i vdekur një zyrtar policor, ndërsa dy të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri nga një bandë kriminale e armatosur rëndë.

“Dënoj fuqishëm sulmin kundër Policisë së Kosovës në veriun e Kosovës. Dhuna duhet të ndalet menjëherë. Ngushëllime të thella familjes së policit të vdekur sot në mëngjes dhe u uroj shërim të shpejtë të plagosurve”, ka shkruar komisioneri hungarez në llogarinë e tij zyrtare në platformën “X” të dielen.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje për “hetim të plotë” të rastit, ndërsa ka shtuar se institucionet evropiane mbështesin punën e Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Misionit Paqeruajtës të NATO-s (KFOR).

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) e kanë dënuar ashpër vrasjen, ndërsa autoritetet kosovare kanë njoftuar se janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave policore afër Manastirit në Banjskë dhe të cilët i ka ftuar që të dorëzohen te organet e sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore