Lajme

Valdete Daka do të dërgojë tek Avokati i Popullit kërkesën për shqyrtim të shkarkimit të sajë


Valdete Daka, ish-Kryesuese e KQZ-se

Për mënyrën se si u shkarkua nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ish-kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor do të kërkoj interpretim nga Avokati i Popullit.

Valdete Daka, këtë të mërkurë do të dorëzoj tek ky institucion kërkesën për shqyrtim të shkarkimit të sajë nga pozita e udhëheqëses që KQZ-së, që më pas avokati i popullit ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese, në emër të sajë.

Këtë veprim ajo ka  thënë se nuk po e bën për të kërcënuar askë, por për të hequr dilemat nëse një president ka të drejtë të shkarkoj kryesuesin e një organi të pavarur.

“Sa i përket asaj se në ndonjë mënyrë kërcënova presidenten, përkundrazi nuk jam duke e kërcënuar por jam duke ushtruar të drejtën time ligjore e cila më takon edhe mua si të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

“Unë gjatë ditës së nesërme do ta dërgoj një kërkesë te Avokati i Popullit, sepse Kushtetuta nuk ma lejon mundësinë që unë drejtpërdrejt t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese me kërkesë po këtë mund ta bëjë Avokati i Popullit në emrin tim”.

Mundësinë për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese e kishin edhe deputetët e Kuvendit të cilët kanë dështuar në mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme për të nisur këto procedura.

Valdete Daka, ish-Kryesuese e Komisionit Qendror Zgjedhor

“Meqë deputetët dështuan t’i mbledhin nënshkrimet dhe ta dërgojnë këtë çështje në Gjykatë Kushtetuese në mënyrë të drejtpërdrejtë çka mendoj se është për të ardhur keq, sepse nuk është në pyetje rasti i Valdete Dakës por është në pyetje një institucion i pavarur”.

“është në pyetje që një herë e përgjithmonë të zgjidhet dilema nëse ka të drejtë presidenti/ja që në mënyrë arbitrare të shkarkojë kryesuesin e një organi të pavarur”, ka thënë Daka në Klan Kosova.

“Deputetët si të zgjedhurit e popullit kanë obligim që të mbrojnë organet e pavarura dhe për këtë e marrin edhe votën e qytetarëve”.

“Nuk është në pyetje më Valdete Daka, por është në pyetje institucioni dhe mbrojtja e institucionit të pavarur, sepse është krijuar precedent. Ky precedent mund të jetë i rrezikshëm, sepse në të ardhmen mund të vijë një president tjetër dhe të thotë “Nuk po më pëlqen puna e X ose Y personit dhe po e shkarkoj” dhe për këtë duhet që Gjykata Kushtetuese ta japë mendimin e vet dhe të thotë se a ka të drejtë presidenti dhe nëse ka të drejtë në çfarë mënyre”.

“Le të zgjidhet kjo dilemë dhe këtu nuk duhet të ndihet askush i kërcënuar apo i ofenduar, është thjesht çështje kushtetuese”.

Daka ka thënë se ka përgatitur një dosje të cilën do ta dorëzojë te Avokati i Popullit dhe i njëjti pasi ta shqyrtojë do ta vlerësojë nëse e njëjta ka bazë që të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese ose jo.

Kjo vjen pas deklarimeve të fundit të BE-së në raportin e Progresit dhe në raportin e monitoruesve evropian të zgjedhjeve, se shkarkimi i saj ishte anti kushtetues.

Më 14 Qershor të këtij viti, një dit pas shpalljes së datës së Zgjedhjeve Lokale, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shkarkuar nga polizta e Kryesueses së KQZ-së, Valdete Dakën.

Në fillim ajo e kishte ftuar Dakën në zyrën e sajë për të biseduar, ku i kishte kërkuar që “ose të jap dorëheqje dhe të marrë mirënjohje, ose do t’a shkarkoj”.

Daka më pas në një konferencë për medie se nuk ka pranuar të jap dorëheqje pasi që të gjitha veprimet e sajën kanë qenë komfor ligjit për KQZ-në dhe zgjedhjet.

Ky ka qenë mandati i dytë i Dakës në KQZ, nga i cili kishte konsumuar vetëm një vit dhe kishte edhe katër vite të tjera përpara.

Si udhëheqëse e Komisionit Qendror Zgjedhor, Daka ishte emëruar në vitin 2010.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore