Lajme

Valdete Daka: Avokati i Popullit ka marrë anën e atyre që janë më të fortë


Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka

Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka deklaruar se Avokati i Popullit ka marrë anën e më të fortit. Ajo më 27 tetor i ishte drejtuar Avokatit të Popullit me kërkesë për ta shqyrtuar shkarkimin e saj nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Por që, e njëjta kërkesë është refuzuar.

Megjithatë, edhe përkundër vërejtjeve nga ana e Bashkimit Evropian, Avokati i Popullit konstaton se vendimi për shkarkim e kryetares së KQZ-së përcaktohet me ligj.

“Unë ende nuk e kam këtë vendim të Avokatit të Popullit, nuk e di në çka është thirrur ky vendim. Është për të ardhur keq kur institucioni i vetëm të cilit unë kam mundur t’i drejtohem dhe ndërmjet të cilit kam mundur ta di se a ka qenë i drejtë shkarkimi im apo jo është i heshtur”.

“Avokati i Popullit është institucioni i cili duhet t’i mbrojë të drejtat dhe liritë e njeriut, në këtë rast si duket ka marrë anën e atyre që janë më të fortë”, është shprehur ajo në një intervistë për ATV.

Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka

Daka besonte që pas gjashtë muajve kjo çështje do të procedohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Konsideroj që pas këtyre raporteve që kanë dal nga BE-ja edhe Avokati i Popullit ka bazë ligjore që kërkesën time ta shqyrtojë në Gjykatën Kushtetuese”.

Ajo tha se deri tani ka pritur se kjo çështje do të ngrihet nga deputetët e Kuvendit.

“Kam prit, pasi kam konsideruar që deputetët do t’i mbledhin nënshkrimet dhe do ta kërkojnë vlerësimin e kushtueshmërisë, por deputetët nuk kanë pas shumë gatishmëri”.

“Por edhe për shkak të zgjedhjeve nuk kam dashur që askush të mos e përdor për çështje politike”.

Ndërkaq, më 14 qershor të këtij viti, një ditë pas shpalljes së datës së Zgjedhjeve Lokale, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shkarkuar nga pozita e Kryesueses së KQZ-së, Valdete Dakën.

Në fillim ajo e kishte ftuar Dakën në zyrën e saj për të biseduar, ku i kishte kërkuar që “ose të jepte dorëheqje dhe të marrë mirënjohje, ose do ta shkarkonte”.

Daka më pas në një konferencë për medie nuk e kishte pranuar dorëheqjen.

Ky ka qenë mandati i dytë i Dakës në KQZ, nga i cili kishte konsumuar vetëm një vit dhe kishte edhe katër vite të tjera përpara.

Si udhëheqëse e KQZ-së, Daka ishte emëruar në vitin 2010.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore