Lajme

Ushtria izraelite dërgon azilkërkuesit afrikanë përtej kufirit me Libanin


Portat e kalimit kufitar Rosh Hanikra midis Izraelit dhe Libanit në Izraelin verior, 14 tetor 2020

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit po i kthejnë azilkërkuesit afrikanë që kalojnë në Izrael nga Libani.

Mё parё, Gjykata e Lartë e Drejtësisë kishte vendosur kundër njё praktike të tillë.

Në fillim ushtria mendoi se azilkërkuesit që hynin nga Libani po punonin për Hezbollahun, ose po shfrytëzoheshin nga grupi terrorist për të raportuar mbi vendosjen e Izraelit përgjatë kufirit dhe për të zbuluar pika të dobëta, përmes të cilave operativët e Hezbollahut mund të depërtonin në Izrael.

Si rezultat, ushtria (IDF) filloi t’i merrte në pyetje azilkërkuesit dhe nganjëherë, madje, u zgjati dhe ndalimin.

Ndërsa fenomeni u bë më i zakonshëm, IDF filloi të kuptojë se afrikanët, që hyjnë në Izrael, nuk paraqesin rrezik sigurie. Po ashtu edhe se ata po kërkojnë azil ose punë, pasi ishin larguar nga vendet e tjera – disa prej të cilave në luftë – duke kërkuar një të ardhme më të sigurt.

Një punonjës i një organizate të madhe të të drejtave të njeriut aktive në zonë tha se organizata e tij nuk është e njohur me një protokoll izraelit, për dërgimin e azilkërkuesve, që jep kriteret për lejimin e tyre për të hyrë në Izrael dhe marrjen në pyetje të tyre.

Burimi tha se, bazuar në Konventën në lidhje me Statusin e Refugjatëve, ata nuk mund të merren në pyetje nga “ushtarë të armatosur me uniformë”.

Burimi shtoi se refugjatët, që përpiqen të kalojnë kufirin nga Libani në Izrael, po e bëjnë këtë për shkak të vështirësive ekonomike në Liban, të cilat i çojnë disa prej tyre deri në uri.

Libani është vendi që pranoi më shumë refugjatë, në krahasim me popullsinë e tij, një refugjat për çdo gjashtë qytetarë libanezë, shumica dërrmuese e tyre nga Siria, sipas tij.

Në maj të vitit të kaluar, organizatat e të drejtave të njeriut i dërguan një letër prokurorit të përgjithshëm dhe gjyqtarit-avokatit të përgjithshëm të ushtrisë në lidhje me “kthimin e nxehtë” të shtetasve sudanezë në Liban.

Ata argumentuan se kjo procedurë bie “në kundërshtim me angazhimet e shtetit ndaj Gjykatës së Lartë të Drejtësisë, angazhimin ndërkombëtar të Shtetit të Izraelit ndaj Konventës së Refugjatëve dhe parimin e mosrikthimit”.

Shteti ra dakord për disa kushte pragu në lidhje me kthimin e azilkërkuesve nga Afrika, përfshirë kthimet e koordinuara që mbështeten në marrëveshjet midis vendeve, “duke respektuar parimet e së drejtës ndërkombëtare”.

“E drejta ndërkombëtare zakonisht ndalon dëbimin e një personi në një vend jeta, shëndeti ose liria e tij është e rrezikuar”, tha avokati Tomer Warsha, kreu i një firme kryesore juridike që merret me imigracionin dhe statusin e qëndrimit në Izrael dhe një ekspert në ligjin e refugjatëve.

Një kusht tjetër është që “kthimi nuk zbatohet në rastet kur azilkërkuesit ngrenë një kërkesë për statusin e refugjatit gjatë një interviste që kryhet nga autoritetet e trajnuara posaçërisht për këtë qëllim”.

Lidhur me pretendimin se kthimi i azilkërkuesve në Liban rrezikon jetën e tyre, prokuroria ushtarake tha vitin e kaluar, se “në të gjitha rastet, para se t’i kthejnë ata në Liban, infiltruesit merren në pyetje nga forcat e IDF.

Prokuroria vuri në dukje se vendimi për t’i kthyer ata në këtë mënyrë “është i pranueshëm për zyrtarët e lartë” dhe se “kthimi i të infiltruarve në territorin libanez bëhet duke informuar forcat e UNIFIL -it, por natyrisht kthimi i tyre nuk koordinohet me zyrtarët në Liban”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore