Shqipëria

Universiteti nis me bojkot dhe protestë


Viti akademik 2022-2023 ka nisur të hënën e 17 tetorit mes protestave dhe bojkotit në Shqipëri.

Shkak për këtë është bërë vendimi i sindikatës së punonjësve të universiteteve për bojkot të vitit të ri akademik.

Ata kërkojnë rritje 50 për qind të pagave bazë sipas titujve shkencorë në dy faza, vlerësime për vjetërsinë në punë mbi 15 vjet dhe për orët e mbingarkesës shtesë në mësimdhënie, rritje të financimit për kërkimin shkencor, rivlerësim të orës mësimore leksion e seminar, rishikim të tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës shtesë, si dhe transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universiteteve publike.

Ndërkaq, në fakultete pritet t’u jepet mirë se ardhja studentëve të viteve të para dhe më pas do të vijojë protesta dhe bojkoti i orëve të mësimit.

aleksander kovaci
Aleksandër Kovaçi

“Ditën e hënë, nga ora 8 deri në 10, do të bëhet prezantimi i studentëve të rinj nëpër fakultete në gjithë universitetet e vendit. Pas orës 10, sindikatat do t’u shpjegojnë studentëve pse lëvizja jonë është lëvizja e tyre. Besojmë se do të gjejmë mirëkuptimin e tyre, prindërve të tyre dhe gjithë shqiptarëve të ndershëm”, deklaroi profesori Aleksandër Kovaçi.

I vetmi universitet publik, i cili do të vijojë normalisht mësimi do të jetë ai i Mjekësisë.

Rektori Arben Gjata deklaroi më herët se ky fakultet do të nisi normalisht me ceremoninë e dhënies së bluzave të bardha studentëve të rinj dhe me betimin e Hipokratit.

Në lidhje me rritjen e pagave, 7 për qind të miratuar nga qeveria, Gjata u shpreh se kanë nisur diskutimet me bordin për rritjen deri në limitin 15 për qind që ka vendosur qeveria.

Me rritjen prej 7 për qind, paga bruto e një lektori nga 90 mijë lekë bëhet 96 mijë lekë, e asistent lektorë nga 73 mijë shkon në 78 mijë lekë, ndërsa paga e një pedagogu me titullin profesor nga 121 mijë në 129 mijë lekë në muaj.

Arben Gjata
Reagimet

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi shpërndau mbrëmjen e 16 tetorit një mesazh virtual për studentët dhe stafin akademik në kudër të fillimit të vitit akademik.

Kjo, pa cekur valën e protestave të stafit pedagogjik, duke rrezikuar fillimin normal të leksioneve.

Zyrtarja shqiptare theksoi në mesazhin e saj se “ky vit i ri akademik përkon me një situatë të vështirë, kur e gjithë bota, përfshirë edhe Shqipërinë, po vuan pasojat e një krize të shkaktuar nga lufta në Ukrainë”.

Qeveria shqiptare, sipas saj, ka “ofruar përjashtim nga tarifat dhe bursa mujore me vlerë sa paga minimale për studentët që zgjedhin programet prioritare, ata që kanë rezultate të shkëlqyera, si dhe studentët fitues në olimpiada ndërkombëtare”.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi

“Ndërkohë, po vazhdojmë pa u ndalur punën dhe investimet për përmirësimin e kushteve të akomodimit në rezidencat studentore, si në kryeqytet ashtu edhe në qytete të tjera universitare. Kemi forcuar bashkëpunimin edhe me bashkitë, vetë universitetet dhe donatorë të ndryshëm, që infrastruktura universitare kudo në Shqipëri të ofrojë standardet më të mira bashkëkohore”, shtoi ajo.

Protestuesit i kanë dërguar qeverisë një peticion me 9 kërkesa një muaj më parë, të nënshkruar nga mbi 85 për qind e pedagogëve në Tiranë e rrethe.

Ata thonë se ato janë të njëjtat kërkesa që qeveria socialiste i ka mbi tryezë qysh nga viti 2019, dhe nuk i plotëson, ndërsa gjendja e tyre sa vjen e rëndohet, aq sa aktualisht ata paguhen vetëm 5 euro për një orë leksioni dhe pagat e tyre dhe fondet për kërkim shkencor janë shumë më të ulëta në krahasim me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut dhe pakrahasimisht të ulëta me vendet e Bashkimit Evropian.

Qeveria nxiti universitetet që, falë autonomisë së tyre, të shtojnë të ardhurat dhe fondet e tyre përmes projekteve dhe aplikimeve ndërkombëtare, duke përfituar më shumë para përmes punës së tyre konkrete shkencore.

Autoritetet shqiptare miratuan javën e kaluar një rritje prej 7 për qind të pagave në universitete dhe u krijoi mundësinë ligjore për një rritje të mëtejshme prej 8 për qind nga të ardhurat e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore